Kaos dhe konfrontime fizike shënuan mbrëmjen e së mërkurës para godinës së Kryeministrisë, ku protestues të shumtë u përballën me ndërhyrjen e forcave të rendit. Gjatë këtij përplasjesh, disa vajza u dërguan me urgjencë drejt ambulancës si rezultat i përdorimit të sprajit me piper nga ana e policisë.
Klimës së tensionuar i dha tonin një grup vajzash, të mbështetura nga djem, të cilët formuan një “gardh” njerëzor përpara një furgoni policie, në përpjekje për të bllokuar largimin e automjetit dhe shoqërimin e protestuesve Edison Lika dhe Dritan Goxhaj.
Furgoni, pavarësisht pengesës së protestuesve, vazhdoi rrugën, duke i shtyrë qytetarët që ndodheshin përpara tij.
“Kriminelë!”, kanë thirrur qytetarët teksa kundërshtonin veprimet e forcave të rendit.
Ndërsa situata përshkallëzohej, u regjistruan përplasje të drejtpërdrejta fizike ndërmjet protestuesve dhe policisë. Gjatë ndërhyrjes, efektivët përdorën spraj me piper, çka shkaktoi shqetësime tek një pjesë e pjesëmarrësve të tubimit.
Si pasojë e ekspozimit ndaj sprajit, disa vajza u ndjenë keq dhe u morën në kujdes nga ekipi i ambulancës për ndihmë mjekësore.
Incidentet erdhën pas shoqërimit të Edison Likës dhe Dritan Goxhajt, për të cilët raportimet paraprake tregojnë se kishin refuzuar të pranonin fletë-gjobat e lëshuara nga policia.
Forcat “Shqiponja” kanë mbërritur gjithashtu pranë zonës përpara Kryeministrisë, ku ndërhyrja e policisë dhe përdorimi i sprajit me piper kanë rritur tensionet gjatë gjithë protestës.
Studentë dhe qytetarë qëndrojnë prej orësh përpara ndërtesës së qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Policia e Shtetit ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për incidentet, përdorimin e sprajit me piper apo ngjarjen me furgonin e policisë.
