Atmosfera përpara Kryeministrisë u agravua të mërkurën mbrëma, pasi policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit. Në vendngjarje mbërritën gjithashtu forcat speciale të repartit “Shqiponja”.
Gjatë këtij aksioni, u përdor spraj me piper, i cili u shpërnda në turmë dhe preku jo vetëm protestuesit, por edhe disa efektivë të policisë.
Situata u përshkallëzua pas disa përplasjeve që kishin ndodhur më herët ndërmjet pjesëmarrësve në protestë dhe policëve, pasi disa qytetarë bllokuan lëvizjen e një furgoni policie. Gjatë tensioneve, efektivët tentuan të largojnë protestuesit, dhe u dëgjuan thirrje të tilla si “Mos i prek gocat!”.
Më parë, uniformat blu kishin shoqëruar Edison Likën dhe Dritan Goxhajn, të cilët, sipas të dhënave fillestare, nuk pranuan të merrnin fletët e gjobave të vendosura ndaj tyre.
