Deputetja demokrate dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar pas publikimit të raportit të OSAC nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke ngritur shqetësimin se pasiguria institucionale, korrupsioni dhe mungesa e konkurrencës po pengojnë investimet e huaja në Shqipëri.
Tabaku thekson se raporti është hartuar si një udhëzues praktik për sektorin privat amerikan dhe për bizneset që shqyrtojnë mundësinë e investimit dhe operimit në Shqipëri. Për këtë arsye, sipas saj, gjetjet e dokumentit duhet të merren seriozisht nga institucionet shqiptare.
Tabaku evidenton se, sipas raportit, krimi i regjistruar është rritur me rreth 17%, ndërsa problematikat e sigurisë reflektohen edhe në mjedisin ekonomik dhe në pastrimin e parave në sektorë të ndryshëm.
Megjithatë, deputetja demokrate vlerëson se shqetësimi më i madh për investitorët potencialë nuk është vetëm siguria fizike, por pasiguria institucionale. Sipas saj, korrupsioni, koordinimi i dobët ndërmjet institucioneve dhe një sistem drejtësie ende në zhvillim vazhdojnë të pengojnë zbatimin e ligjit, ndërsa pandëshkueshmëria e personave me pushtet politik dhe ekonomik mbetet një shqetësim serioz.
Tabaku paralajmëron se këto rreziqe janë veçanërisht të mëdha në sektorë me interes për investitorët amerikanë, si infrastruktura rrugore dhe energjetika, ku ndërthuren prokurimet publike, lejet shtetërore, kontratat afatgjata dhe vendimmarrja politike.
Duke ia faturuar qeverisjes socialiste stanjacionin ekonomik dhe institucional të vendit, Tabaku kërkon ndryshimin e modelit aktual të zhvillimit.
“Pak muaj pasi Departamenti i Shtetit publikoi raportin mbi klimën e investimeve dhe pak javë pasi Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi perceptimin e bizneseve amerikane në Shqipëri për klimën e biznesit, Departamenti i Shtetit publikoi edhe raportin e OSAC.
Ky është një raport i hartuar për sektorin privat amerikan, një udhëzues praktik për bizneset që shqyrtojnë mundësinë për të investuar dhe operuar në Shqipëri. Pikërisht për këtë arsye, gjetjet e tij meritojnë vëmendje.
Sipas raportit, krimi i regjistruar është rritur me rreth **17%**, duke nxjerrë në pah një problem serioz për mjedisin ekonomik të vendit tonë, i cili reflektohet edhe në pastrimin e parave në sektorë të ndryshëm.
Megjithatë, për një investitor potencial, shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me sigurinë fizike. Ai lidhet me **pasigurinë institucionale**.
Raporti evidenton korrupsionin në gjyqësor, në administratën shtetërore dhe në prokurimet publike, krahas mungesës së transparencës dhe konkurrencës, informalitetit të lartë dhe vështirësive në zbatimin e kontratave. Korrupsioni, koordinimi i dobët ndërmjet institucioneve dhe një sistem drejtësie ende në zhvillim vazhdojnë të pengojnë zbatimin e ligjit. Pandëshkueshmëria e personave me pushtet politik dhe ekonomik mbetet një shqetësim serioz.
Këto rreziqe bëhen edhe më të mëdha në sektorë potencialisht tërheqës për investitorët amerikanë, si infrastruktura rrugore dhe energjetika, ku ndërthuren prokurimet publike, lejet shtetërore, kontratat afatgjata dhe vendimmarrja politike.
Investimet vijnë atje ku konkurrenca është e barabartë, prokurimet janë transparente, drejtësia garanton zbatimin e kontratave dhe askush nuk qëndron mbi ligjin. Mbi të gjitha, ato vijnë kur investitorët mund të hyjnë në një vend pa pasur nevojë për lidhje politike, por thjesht sepse mjedisi është i përshtatshëm, i qëndrueshëm dhe konkurrues.
Shqipëria vazhdon të mbetet në të njëjtin stanjacion për shkak të sistemit që kanë ngritur socialistët. Për ta ndryshuar këtë dinamikë, vendi ka nevojë për një shtet ku **sundon ligji, jo ligjet me porosi**; për një qeverisje që punon për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar.
Shqipëria ka nevojë për një model zhvillimi që nuk ushqen pastrimin e parave, por ndërton një ekonomi tregu larg monopoleve dhe pranë konkurrencës së lirë.“- shkruan Tabaku.

