Teksa kryeministri Edi Rama mezi po e pret konferencën ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ka ardhur një reagim nga deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali.
Ajo vlerëson se vendi po hyn në një fazë të re të rrugëtimit europian, ku nevojiten më shumë qartësi, vizion dhe përgjegjësi politike e shoqërore për të përmbyllur me sukses negociatat me BE-në.
“Nesër Shqipëria hyn në një fazë të re të rrugës së saj europiane, me hapin e parë drejt mbylljes së negociatave me Bashkimin Europian, një moment që nuk ka ardhur rastësisht, por pas një rruge të gjatë përpjekjesh, përplasjesh, pritjesh, durimi dhe një besimi të vazhdueshëm se vendi ynë i përket natyrshëm familjes europiane.
Për Shqipërinë, Europa nuk ka qenë kurrë vetëm projekt politik apo diplomatik. Ka qenë dëshira për të ndërtuar një shtet më të drejtë e më demokratik, institucione më të forta, ekonomi më konkurruese dhe një shoqëri ku të rinjtë nuk e shohin të ardhmen vetëm jashtë vendit.
Prandaj ky proces nuk lidhet vetëm me hapjen apo mbylljen e kapitujve teknikë të negociatave, por me atë çfarë do të thotë të jetosh si qytetar europian, me më shumë siguri juridike, më shumë drejtësi, më shumë standarde për ekonominë, më shumë lëvizje të lirë, më shumë besim për investimet dhe më shumë mundësi për brezat që vijnë.”
Në postimin e saj, Spiropali thekson se integrimi europian nuk është vetëm proces teknik, por një transformim i thellë institucional dhe shoqëror që lidhet me forcimin e shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe standardeve të jetesës.
“Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm pasaportë europiane në kuptimin formal. Është hyrje në një hapësirë ku ligji, konkurrenca, liria dhe dinjiteti i qytetarit kanë një tjetër peshë. Dhe për një vend si Shqipëria, që për dekada e ka parë Europën si horizont shprese dhe normaliteti, kjo rrugë mbetet një nga arritjet më të mëdha historike të shtetit shqiptar.
Por pikërisht sepse jemi pranë këtij momenti, Shqipërisë i duhet më shumë se entuziazëm. I duhet qartësi. I duhet guxim politik dhe qytetar. I duhet një platformë e saktë shtetërore dhe shoqërore për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë, një vizion i detajuar për institucionet, drejtësinë, ekonominë, arsimin, administratën dhe lirinë, që vendi të mos hyjë në Europë i befasuar nga standardet e saj, por i përgatitur për to me vetëdije të plotë.
Dita kur Shqipëria do të ndezë fishekzjarrët e anëtarësimit nuk duhet të jetë fundi i një rruge, por duhet të jetë dita kur Shqipëria është gati, pa frikë dhe pa improvizim, të ulet natyrshëm në tryezën e konfederatës së kombeve europiane.”
Tensionet mes Ramës dhe Spiropalit
Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar ish –ministren për Europën e Punët e Jashtme, Elisa Spiropalin, duke e paralajmëruar se do ta përjashtojë nga grupi parlamentar,në rast se vijon kritikat për të dhe partinë socialistë në FB.
Disa ditë pasi Spiropali e cilësoi PS një parti drejtorësh, Rama ka shpërthyer në sulme dhe kërcënime ndaj ish-ministres, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar socialist, duke i kujtuar bojkotin në votimin për imunitetin e Ballukut, kritikat në rrjetet sociale, dhe duke e kërcënuar se do ta përjashtojë nga grupi, nëse nuk ndal kritikat për të dhe partinë.

