Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka adresuar akuza të ashpra kundër Partisë Socialiste, duke e përshkruar këtë forcë politike si “të krimbur” dhe duke theksuar mungesën e hapësirës për kritika brenda saj.
Gjatë deklaratës së tij, Qori ka argumentuar se uniteti i anëtarëve të strukturave drejtuese të PS-së nuk rrjedh nga ideologjia apo besimi politik, por është rezultat i marrëdhënieve të ndërsjella shantazhi që, sipas tij, kanë krijuar mes tyre.
“PS është aq e krimbur, sa bashkë rrinë vetëm për faktin se kanë fuqi për të shantazhuar njëri-tjetrin. Janë 200-300 vetë në Asamble dhe nuk del njeri t’i thotë një kritikë. Arsyeja se përse nuk bëjnë dot kritika është se janë të shantazhueshëm. I shantazhueshëm është një njeri që ka bërë faj”, deklaroi Qori.
Kreu i Lëvizjes Bashkë theksoi se kjo marrëdhënie shantazhi është edhe arsyeja pse brenda Partisë Socialiste mungojnë zërat kritikë dhe debatet e brendshme, edhe kur partia është në pushtet.
