Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare gazetari dhe shkrimtari i njohur italian, Corrado Augias

Corrado Augias, një prej emrave më të spikatur të gazetarisë italiane, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Me një karrierë që shtrihej përtej gjashtëdhjetë viteve, Augias konsiderohej një nga figurat qendrore të publicistikës dhe kulturës në Itali.

Lajmin për humbjen e tij e publikoi gazeta La Repubblica, me të cilën Augias kishte qenë i lidhur që prej krijimit të këtij botimi të rëndësishëm italian.

“Me vdekjen e Corrado Augias, gazetaria italiane humbet një pikë referimi të pazëvendësueshme. Gazetar, eseist, dramaturg dhe prezantues, Augias ishte një intelektual i aftë të kuptonte ndryshimet e shoqërisë italiane në çdo epokë dhe t’i pasqyronte ato me autoritet”, thuhet në një deklaratë të drejtuesve të sindikatës së gazetarëve të televizionit publik italian, Usigrai.

Lindur në Romë më 26 janar 1935, Augias vinte nga një familje me rrënjë franceze. Ai u regjistrua zyrtarisht në organizatën profesionale të gazetarëve më 1 prill 1969, megjithëse bashkëpunimi i tij me televizionin publik italian Rai kishte nisur edhe më herët, që në vitin 1960, vetëm gjashtë vjet pasi Rai kishte nisur transmetimet.

Gjatë karrierës së tij që zgjati mbi gjashtë dekada, Augias punoi për gazetën La Repubblica si kolumnist dhe korrespondent. Nga viti 2001 deri në 2021, ai udhëhoqi rubrikën e letrave të lexuesve, ku botoheshin komunikimet e qytetarëve me redaksinë.

Përveç angazhimit në shtypin e shkruar, Augias fitoi njohje të madhe edhe në ekranet italiane. Ai njihej për elegancën në të folur dhe komunikimin e tij të sjellshëm por këmbëngulës, shoqëruar gjithnjë me ironi të hollë në debatet me të ftuarit.

Një nga pikat kulmore në karrierën e tij televizive ishte programi Telefono Giallo, që u transmetua në Rai nga viti 1987 deri më 1993. Emisioni trajtonte çështje të bujshme kriminale të mbetura pa zgjidhje.

Një episod që mbeti gjatë në kujtesën e publikut u transmetua më 6 maj 1988, kur një ushtarak që kishte qenë në detyrë në kohën e tragjedisë së Ustikës, u lidh në emision dhe dha informacione të reja. Këto dëshmi bënë që prokurori i atëhershëm, Paolo Borsellino, të vendoste rihapjen e hetimeve.

Në vitet e fundit, Augias ishte aktiv në televizionin La7, ku prezantonte programin La Torre di Babele. Përveç gazetarisë, ai la gjurmë edhe si autor romanesh me temë kriminale dhe eseistike.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Corrado Augias u bë publik edhe në Senatin italian gjatë debatit për dekretligjin mbi arsimin. Kryetarja e grupit parlamentar të Italia Viva, Raffaella Paita, njoftoi kolegët për këtë humbje.

“Sapo morëm vesh për vdekjen e Corrado Augias dhe do të dëshiroja që kjo sallë ta nderonte me një duartrokitje”, deklaroi Paita.

Senatorët nga të gjitha partitë u bashkuan në një ovacion të gjatë në nderim të figurës së tij si gazetar dhe intelektual.

Presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, iu bashkua gjithashtu ngushëllimeve dhe kërkoi që të mbahej një moment heshtjeje.

Para nisjes së mbledhjes së këshillit bashkiak, kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, kujtoi personalitetin e Augias.

“Corrado Augias ishte një figurë e madhe e kulturës dhe gazetarisë, një intelektual i angazhuar dhe një qytetar romak, të cilit i detyrohemi shumë. Dua të shpreh gjithë dhimbjen time personale, atë të administratës dhe, besoj se mund ta them, të të gjithë qytetit. I përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të tij”, deklaroi Gualtieri.

Ngushëllime familjes dhe solidaritet shprehu edhe drejtori i televizionit La7, Andrea Salerno, pas lajmit të ndarjes nga jeta të Augias.

Corrado Augias largohet duke lënë pas një trashëgimi të spikatur në gazetari, media dhe kulturën italiane, pas më shumë se gjashtëdhjetë vitesh kontribut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe