“Shqipëria ka bërë hapa pas në raport me BE-në”, Këlliçi: Brukseli ngre shqetësimin për korrupsionin, tenderat dhe mbrojtjen e Ballukut

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekjet e tij për të paraqitur si arritje një dokument që, sipas tij, nxjerr në pah probleme të thella me korrupsionin, sistemin e drejtësisë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi ka theksuar se raporti i Brukselit përbën një dëshmi të qartë të keqqeverisjes, ndërsa e akuzon Ramën për pengim të proceseve të drejtësisë përmes mbrojtjes politike të Belinda Ballukut në Parlament.

“Edi Rama ia doli ta bëjë Shqipërinë me Regres Raport!”, shkruan Këlliçi, duke ironizuar qëndrimin e kryeministrit ndaj rezultateve të Raportit të Komisionit Europian.

Sipas Këlliçit, një prej pikave më problematike të adresuara në raport ka të bëjë me trajtimin e çështjes së Belinda Ballukut, për të cilën ai pohon se mazhoranca ka ndërhyrë në procesin ligjor për të penguar drejtësinë.

Deputeti ndalet dhe te mangësitë në proceset e prokurimeve publike, mungesën e transparencës së qeverisë si dhe refuzimin për krijimin e komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.

Ai kritikon gjithashtu gjendjen e lirisë së medias si dhe menaxhimin e fondeve europiane për bujqësinë, duke vënë në dukje se administrimi i fondeve IPARD vazhdon të jetë një pengesë për financimet e ardhshme në këtë sektor.

“Vetëm Kryeministri më i korruptuar në Europë mund ta quajë vlerësim dhe sukses raportin e BE, kur aty ngrihet shqetësimi për mbrojtjen e Belinda Ballukut dhe aferave të saj në Kuvend duke penguar drejtësinë, kur evidentohet abuzim i lartë në tenderat qeveritare, kur theksohet refuzimi i llogaridhënies, i komisioneve hetimore që ka kërkuar Partia Demokratike dhe opozita, kur vihet në dukje cënimi i lirisë së medias, ku thuhet hapur se fondet e IPARD III sërish nuk do të vijnë, pasi autoritetet këtu nuk bindin se nuk do t’i vjedhin prapë”, deklaron Këlliçi.

Këlliçi ndërlidh gjetjet e raportit me akuzat e vazhdueshme të opozitës kundër qeverisë, duke argumentuar se kritikat e institucioneve europiane janë tregues që kryeministri është pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Këto janë vetëm disa nga ‘vlerësimet’ e Komisionit, për Edi Ramën e qeverisjen e tij, ku qartazi del se ai është pengesa kryesore e integrimit të vendit tonë. Sigurisht Narkoshteti i parë në Europë, nuk mund të trajtohet ndryshe!”, përfundon ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe