Pas dy javësh kërkime intensive, më 18 qershor 2026, në një humnerë të fshatit Cerrunjë – zonë malore që shtrihet mes Tiranës dhe Elbasanit – u bë zbulimi i trupit të pajetë të Eglant Koçit, 34 vjeç. Banorët e zonës kishin ngritur alarmin pasi kishin vënë re një numër të madh sorrash të grumbulluara në një pikë të caktuar, duke krijuar dyshime se mund të ishte fshehur trupi i një personi.
Në deklaratën zyrtare të policisë u bë e ditur: “Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull.”
Kërkimet u realizuan në bashkëpunim mes policisë, forcave RENEA dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, ndërkohë që për kontrollin e terrenit u përdorën edhe dronë. Një rol kyç në drejtimin e hetimeve kishin sinjalet e fundit telefonike të Armand Shakajt, të cilat ishin regjistruar disa herë në atë zonë në periudhën kur Eglant Koçi rezultonte i zhdukur.
Pas zbulimit të trupit, vëmendja e policisë u përqendrua gjithnjë e më shumë tek Armand Shakaj, i cili jo vetëm që kishte qenë komshi, por edhe mik i viktimës. Sipas informacioneve në dosjen hetimore, autopsia ka zbuluar se Eglant Koçi ishte qëlluar me armë zjarri pas koke, çka lind dyshimet se autori e kishte sulmuar nga pas.
Hetuesit, duke rindërtuar ngjarjen, nuk përjashtojnë mundësinë që përplasja mes dy personave të ketë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kriptomonedhave apo huave me fajde. Mendohet se konflikti ka shpërthyer në ambientet e lokalit në pronësi të Shakajt dhe se 34-vjeçari mund të jetë mbajtur me forcë para se të ekzekutohej.
Gjetja e trupit të pajetë ka sjellë një kthesë të re në hetime, duke plotësuar një prej elementeve kryesore që mungonin për të rikrijuar ngjarjen dhe për të vërtetuar mënyrën se si ishte kryer krimi.
Burimi: Ne Shenjester
