“Pagat nuk po ekzekutohen”, gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Financave

Publikuar me datë:

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë shprehur shqetësimin për mos-ekzekutimin e pagave të magjistratëve, funksionarëve të organeve të sistemit të drejtësisë, si dhe të punonjësve të administratës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 2 shtator, tre organizatat theksojnë se situata është krijuar në vijim të zbatimit të vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton edhe mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve.

Sipas deklaratës, nga 1 gushti 2026, pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, pagat duhet të përllogariten mbi bazën e formulës së përcaktuar prej saj, me efekt prapaveprues për periudhën 1 prill 2023–31 korrik 2026.

Në zbatim të këtij vendimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin nr. 435, datë 26 gusht 2026, dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me vendimin nr. 144, datë 28 gusht 2026, kanë miratuar pagën referuese bazë të magjistratit, duke përcaktuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026 e në vijim.

Megjithatë, sipas shoqatave, pavarësisht përllogaritjes dhe urdhërimit të pagesave nga institucionet përkatëse, procesi është penguar në fazën e ekzekutimit financiar.

“Pagat e magjistratëve, ndonëse janë përllogaritur dhe urdhëruar për pagesë në zbatim të vendimmarrjeve përkatëse, nuk po ekzekutohen”, thuhet në deklaratë, ku përgjegjësia për situatën i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të strukturave përgjegjëse të Drejtorisë së Thesarit.

Shoqatat bëjnë me dije se, nga të dhënat e administruara, pagat e magjistratëve janë ekzekutuar vetëm në dy zyra prokurorie në vend, ndërsa për pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë pagesat nuk janë kryer.

Sipas tyre, fakti që pagesat janë realizuar në dy prej zyrave tregon se zbatimi financiar i vendimeve është i mundur, duke e konsideruar “të pajustifikueshëm” mosekzekutimin e tyre në pjesën tjetër të sistemit.

Organizatat e magjistratëve e cilësojnë të papranueshme që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili është përfundimtar, detyrues dhe drejtpërdrejt i zbatueshëm, të mbetet pa efekt praktik.

“Çdo vonesë apo pengim në ekzekutimin e pagesave të miratuara dhe të urdhëruara sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk përbën thjesht një çështje teknike apo procedurale të administrimit buxhetor”, thuhet në deklaratë.

Shoqatat paralajmërojnë se situata prek jo vetëm sigurinë financiare të magjistratëve, por edhe funksionimin normal të sistemit të drejtësisë dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në deklaratë ngrihet gjithashtu shqetësimi se bllokimi i listëpagesave po prek edhe administratën gjyqësore dhe atë të prokurorisë, punonjësit e të cilave, sipas shoqatave, po mbeten pa marrë pagat në afatet përkatëse, ndonëse nuk janë subjekte të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve i kanë bërë thirrje Drejtorisë së Thesarit që të përmbushë detyrimet dhe të mos pengojë ekzekutimin e pagesave të urdhëruara nga institucionet e drejtësisë.

Po ashtu, shoqatat i kërkojnë Ministrisë së Financave të marrë masa të menjëhershme për garantimin e ekzekutimit të pagave dhe, në mënyrë të veçantë, Ministrit të Financave që të sigurojë se strukturat administrative në varësi të tij veprojnë në përputhje me vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim, tre organizatat paralajmërojnë se, nëse nuk gjendet një zgjidhje e menjëhershme, do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, përfshirë kërkimin e përgjegjësive ligjore ndaj personave dhe strukturave që mund të kenë penguar ose nuk kanë kryer pagesat.

“Çdo vonesë të mëtejshme në ekzekutimin e pagave” shoqatat e konsiderojnë si situatë “absolutisht të papranueshme” për funksionimin normal të sistemit të drejtësisë dhe si cenim të zbatimit të vendimit detyrues të Gjykatës Kushtetuese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Disiplina godet Vllazninë, dënime të rënda për Xhaferin, Martinin dhe Dervishajn

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka publikuar vendimet për...

Erkand Qerimaj mbyll Lojërat Mesdhetare me 5 rekorde kombëtare

Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj ka mbyllur pjesëmarrjen në Lojërat...