Nga qelia te altari, Kardinal Ernest Simoni kremton Meshën e Shenjtë në ish-burgun e Spaçit

Publikuar me datë:

Të premten, ish-burgu i Spaçit në Mirditë u shndërrua në një vend reflektimi dhe përkujtesë, ku u organizua një pelegrinazh i veçantë. Në këtë ngjarje, Kardinali Ernest Simoni Troshani, Eminenca e Tij, u kthye për herë të parë pas shumë vitesh në qelinë ku vuajti 12 vite burg gjatë diktaturës komuniste, duke u përballur sërish me kujtimet e asaj kohe të vështirë dhe të dhimbshme.

Gjatë vizitës, Kardinali përshkoi ambientet ku dikur ishte mbajtur i burgosur. Duke u ndalur pranë fotove të bashkëvuajtësve, ai solli në mendje me emocion sakrificat e qindra të dënuarve politikë që kaluan vite të tëra të jetës në këtë kamp të njohur për brutalitetin e tij.

Ai vijoi aktivitetin me kremtimin e Meshës së Shenjtë në oborrin e ish-burgut. Të pranishëm ishin ish-të përndjekur politikë, besimtarë nga komunitete të ndryshme, përfaqësues të besimeve fetare dhe autoritete lokale.

Në fjalën e mbajtur, Kardinal Ernest Simoni Troshani e përshkroi rikthimin në Spaç si një përjetim me ndjenjë të thellë. Përballë mureve që dikur i mohuan lirinë, ai rrëfeu për arrestimin, dënimin dhe vitet e gjata mes vuajtjesh, duke theksuar se ishte besimi në Zot që e mbajti të palëkundur. Ai përkujtoi edhe bashkëvuajtësit që ruajtën shpresën, pavarësisht errësirës së ditëve në kamp, dhe ftoi shqiptarët të jetojnë me dashuri dhe falje, duke i bërë thirrje të mos lejojnë urrejtjen të gjejë vend në zemrat e tyre.

Përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë, autoritete të pushtetit vendor dhe Dioqeza e Rrëshenit e vlerësuan Spaçin si një simbol të qëndresës ndaj regjimit komunist. Ata theksuan nevojën për përkushtim më të madh institucional në ruajtjen e këtij vendi të kujtesës, i cili prej kohësh përballet me rrezikun e degradimit.

Si shenjë nderimi për jetën e tij plot sakrifica dhe besim të pathyeshëm përballë përndjekjes, Kardinali 98-vjeçar mori një certifikatë mirënjohjeje së bashku me një dhuratë simbolike që mban emblemën e Spaçit.

Gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV. Në mesazh, Papa e përshkroi Spaçin si “një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare”, por gjithashtu edhe si vend ku “besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë”. Ai nënvizoi domosdoshmërinë për të mbajtur gjallë kujtesën e atyre që kanë vuajtur dhe sakrifikuar jetën në këtë kamp, duke e kthyer atë në një thirrje në mbështetje të dinjitetit njerëzor, lirisë dhe paqes.

Ceremonia përmbylli aktivitetin në ish-burgun e Spaçit me lutje për viktimat e diktaturës komuniste dhe me një apel që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë. Kjo ngjarje u rikujtoi të gjithëve rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për brezat që vijnë dhe domethënien e triumfit të besimit ndaj dhunës dhe persekutimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Ahmetaj: ‘Janë 3 orë përgjime. Javën tjetër do publikojmë edhe dy pasazhe të tjera. Monaco…

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka paralajmëruar publikimin e pjesëve të...

Të brendshmet e Brigitte Bardot dalin në ankand, revoltohet bashkëshorti

Edhe pas vdekjes, Brigitte Bardot vijon të jetë në qendër të vëmendjes, këtë herë për shkak të një ankandi që ka shkaktuar reagimin e bashkëshortit të saj të fundit. Rreth 300 sende personale të ikonës së kinemasë franceze do të dalin në ankand në Paris, një vendim që Bernard d’Ormal e ka kundërshtuar publikisht, duke […]

Ahmetaj: Nuk kanë guxim të prekin Ballukun. Do ta sjellin imunitetin kur t’i duhet Ramës për te Marta Kos

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta lidhur...