Nga Kina në Barcelonë, kush i paguan udhëtimet e Benet Becit dhe Ermira Telitit dhe sa kushtojnë për qytetarët shkodranë?

Benet Beci dhe shefja e kabinetit, Ermira Teliti, largohen për ditë të tëra nga Bashkia e Shkodrës. Nga Kina në Barcelonë, me një pjesë të stafit të afërt në krah. Por kush i paguan këto udhëtime dhe, mbi të gjitha, sa kushtojnë për qytetarët shkodranë?

Për rreth dy javë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, dhe shefja e kabinetit, Ermira Teliti, kanë qenë të angazhuar në udhëtime jashtë Shqipërisë, fillimisht në Kinë dhe më pas në Barcelonë. Në këto udhëtime, sipas informacioneve të siguruara nga burime brenda institucionit, janë përfshirë edhe pjesëtarë të stafit të ngushtë të drejtuesve të bashkisë.

Një situatë që ngre pikëpyetje jo vetëm për kohëzgjatjen dhe domosdoshmërinë e këtyre udhëtimeve, por edhe për mënyrën se si janë përzgjedhur personat që kanë shoqëruar drejtuesit, qëllimin konkret të vizitave dhe përfitimet që pritet të ketë qyteti nga këto angazhime.

Në një kohë kur Shkodra përballet me problematika të shumta dhe qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete, drejtuesit e institucionit duket se kanë pasur një axhendë tjetër, atë të udhëtimeve ndërkombëtare.

Sipas informacioneve tona, udhëtimi drejt Kinës është organizuar nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, e cila ka mbuluar edhe shpenzimet përkatëse, përfshirë transportin dhe kostot e tjera të delegacionit.

Ndërkohë burime nga brenda Bashkisë së Shkodrës informojnë se Ermira Teliti ka shpenzuar rreth 5 mijë euro nga fondet e institucionit për biletën vajtje-ardhje drejt Kinës. Një shumë jashtëzakonisht e konsiderueshme, veçanërisht kur mësohet se udhëtimi dhe kostot e transportit ishin mbuluar paraprakisht nga organizatorët.

Nëse kjo shumë është paguar realisht nga buxheti i bashkisë, dokumentacioni financiar duhet të tregojë qartë se për çfarë shërbimi është kryer pagesa, kujt i është kaluar shuma dhe nëse ka pasur një rimbursim apo mbulim të dyfishtë të së njëjtës shpenzim.

Kjo nuk është një çështje e vogël administrative. Bëhet fjalë për para publike, për të cilat çdo drejtues institucioni ka detyrimin të japë llogari.

Dhe pikërisht këtu shfaqet edhe një tjetër problem: roli i Ermira Telitit në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës.

Edhe pse zyrtarisht mban postin e shefes së kabinetit, burime brenda institucionit e përshkruajnë atë si figurën më të fuqishme në administrimin e përditshëm të bashkisë, me ndikim të konsiderueshëm në vendimmarrje dhe në raportet me stafin.

Sipas këtyre burimeve, ndikimi i saj në institucion shkon përtej funksionit formal që mban, duke e konsideruar atë një lloj drejtimi paralel, me autoritet të madh mbi administratën.

Pikërisht për këtë arsye, shpenzimet për udhëtimin në Kinë dhe mungesa e transparencës mbi aktivitetet jashtë vendit kërkojnë një shpjegim të plotë publik.

Nuk mjafton që një udhëtim të etiketohet si vizitë pune apo shkëmbim përvojash. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush ka udhëtuar, me çfarë funksioni, me çfarë objektivi, sa ka kushtuar dhe çfarë përfitimi konkret ka sjellë për Shkodrën.

Ndërsa pas udhëtimit në Kinë, Benet Beci dhe Ermira Teliti janë përfshirë edhe në një tjetër udhëtim jashtë vendit, këtë herë drejt Barcelonës, duke ngritur pikëpyetje të tjera mbi kohën e kaluar jashtë institucionit dhe mbi përbërjen e delegacionit që i ka shoqëruar.

A bëhet fjalë për aktivitete me interes të drejtpërdrejtë për Shkodrën? Cilat janë marrëveshjet, kontaktet apo projektet konkrete që kanë dalë nga këto vizita? Dhe a është e justifikuar pjesëmarrja e gjithë personave të përfshirë në delegacion?

Nëse këto udhëtime janë realizuar në kuadër të detyrës, Bashkia duhet të publikojë axhendat, ftesat zyrtare, listën e pjesëmarrësve, urdhrat e udhëtimit dhe faturat përkatëse.

Nëse, përkundrazi, bëhet fjalë për udhëtime pa objektiva të qarta dhe pa rezultate të matshme për qytetin, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz të mënyrës se si kuptohet dhe ushtrohet përgjegjësia publike.

Prandaj, Benet Beci dhe Ermira Teliti duhet t’u përgjigjen qytetarëve për këto udhëtime. Sidomos kur nga buxheti i bashkisë janë paguar 5 mijë euro për biletën drejt Kinës, në një kohë kur organizimi i vizitës dhe mbulimi i shpenzimeve i atribuohen Shoqatës së Bashkive.

Qytetarët e Shkodrës nuk kanë nevojë për fotografi nga Kina dhe Barcelona, por për rezultate në qytetin e tyre. Nuk kanë nevojë as për delegacione të zgjedhura sipas afërsisë me drejtuesit, por për një administratë që punon në interes të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe