Neymar është përfolur sërish, por këtë herë jo për arritjet e tij sportive. Ylli brazilian do të bëhet baba për herë të pestë, pasi partnerja e tij, Bruna Biancardi, është në pritje të një fëmije të ri.
Çifti ka ndarë këtë lajm të gëzueshëm me ndjekësit e tyre përmes një videoje familjare, në të cilën u zbulua edhe gjinia e bebit. Neymar dhe Bruna janë duke pritur një vajzë tjetër, duke e zgjeruar më tej familjen e tyre të madhe.
Kjo do të jetë fëmija i pestë për Neymarin, i cili është baba i Davi Lucca, djalit të tij të madh nga lidhja me Carolina Dantas, si dhe i Helenës nga Amanda Kimberlly. Në anën tjetër, me Bruna Biancardi, ai është prind i vajzave Mavie dhe Mel, dhe tani ata po presin një tjetër vajzë.
Ky lajm ka tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave në rrjetet sociale, ku ata kanë shpërthyer me urime për çiftin. Neymar, i njohur për jetën e tij private të survejuar, duket se po shijon një kapitull të ri familjar me Brunën, pavarësisht se marrëdhënia e tyre ka pasur sfida me kalimin e viteve.
Historia e çiftit Neymar dhe Bruna Biancardi shpesh është shoqëruar me vëmendjen e mediave rozë. Ndarje, rikthime, thashetheme dhe reagime publike kanë karakterizuar lidhjen e tyre, por tani ata duken më të fortë se kurrë, teksa përgatiten për të pritur një anëtare të re në familje.
Në një karrierë që gjithmonë është nën vëmendjen e publikut për arritjet, famën dhe jetën private, Neymar di të krijojë lajm edhe jashtë fushës. Këtë herë, lajmi është një ngjarje që do të sjellë gëzim: një bebe tjetër po vjen në familjen e futbollistit brazilian.
Nga Icon Style

