Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të zhvillohet më 5 qershor (të premten) në Tivat të Malit të Zi.
Takimi do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ndërsa do të mikpritet nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Në Samit do të marrin pjesë gjithashtu Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Nën temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, liderët do të diskutojnë mbi ecurinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Programi i samitit nis me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes të organizuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Më pas do të zhvillohet seanca plenare e samitit, ku liderët do të shkëmbejnë pikëpamje mbi prioritetet e përbashkëta europiane dhe rajonale.
Samiti do të shërbejë gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni dhe Europa, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Takimi në Tivat zhvillohet në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Europian 2024–2029 dhe konfirmon rëndësinë që Bashkimi Europian i kushton perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.
Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit të mbajtur në Bruksel.

