Gjetja e trupit të një gruaje në Ekurhuleni, rasti i nënti brenda dy muajsh, ka tronditur thellë komunitetin në Afrikën e Jugut. Që prej muajit korrik, në këtë zonë në lindje të Johanesburgut janë zbuluar nëntë viktima femra.
Trupi i fundit u zbulua të enjten në mëngjes pranë një rruge në lagjen Dawn Park. Policia njoftoi se viktima ishte gjysmë e zhveshur dhe e mbështjellë me një çarçaf. Ende nuk dihet identiteti i saj.
Ky zhvillim ka shtuar ankthin në komunitet, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të kuptuar nëse vdekjet janë të ndërlidhura ose nëse bëhet fjalë për një vrasës serial.
Seria e rasteve nisi më 15 korrik, kur u gjet viktima e parë. Vetëm dy ditë më pas, policia arrestoi një të dyshuar, i cili vijon të mbahet në paraburgim, por lidhja e tij me ngjarjet e tjera nuk është konfirmuar.
Viktima të tjera u zbuluan gjatë muajve gusht dhe shtator në zona të ndryshme si Kempton Park, Olifantsfontein, Clayville dhe KwaThema. Disa prej trupave u gjetën të pjesshëm të veshur dhe me shenja plagësh.
Një ndër viktimat ishte edhe Elizabeth “Tsontso” Moselakomo, 38 vjeçe, e zhdukur javën e kaluar teksa kishte dalë për të vrapuar. Trupi i saj u gjet pas një hoteli në Kempton Park, tre ditë pas zhdukjes.
Policia identifikoi dy viktima të tjera: Itumeleng Kekana, e zhdukur prej korrikut, dhe 38-vjeçarja Dino Evelyn Motapane, trupi i së cilës u gjet të martën në KwaThema, pranë një rruge.
Për viktimën më të fundit, e cila mendohet të jetë në të tridhjetat, raportet lokale bëjnë me dije se kishte mavijosje dhe plagë të shkaktuara nga thikë.
Një ekip i posaçëm është ngritur nga policia për të hetuar serinë e vdekjeve, duke përfshirë detektivë, zyrtarë të inteligjencës, ekspertë mjeko-ligjorë dhe specialistë të fushave të ndryshme, me qëllim gjetjen e ngjashmërive mes rasteve.
Autoritetet kanë sqaruar se po kërkojnë edhe një “person me interes”, por nuk kanë dhënë detaje për lidhjen e këtij individi me ndonjërin prej rasteve.

