Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan në total me 81 vite burg, mbështetja për ta është shtrirë edhe jashtë kufijve të Kosovës.
Mbrëmjen e kaluar, shqiptarë të diasporës u mblodhën në Times Square, në zemër të Nju Jorkut, për të protestuar kundër këtij vendimi. Në tubim, pjesëmarrësit thanë se e kundërshtojnë aktgjykimin dhe vlerësuan domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës për luftën e Kosovës si dhe sakrificën e popullit të saj.
Imazhe nga ky manifestim janë shpërndarë në rrjetet sociale nga prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari.
Në publikimin e tij, Hajdari theksoi se diaspora shqiptare është bashkuar në Times Square për të treguar mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, duke e quajtur vendimin ndaj tyre të pabazë.
“Dje në Manhattan, në Times Square! TË GJITHË BASHKË, PËR NJË QËLLIM — LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!
Mbrëmë, diaspora shqiptare u mblodh si një trup i vetëm, me një zë dhe me një qëllim: të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë, ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ne besojmë se janë dënuar padrejtësisht.
Pavarësisht se nga cila trevë shqiptare vijmë, sot na bashkon Kosova, na bashkon historia jonë dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.
Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës.
Së bashku kemi qenë në ditët më të vështira dhe së bashku do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe sot — si vëllezër e motra, si një diasporë dhe si një komb.
LIRI • DREJTËSI • DINJITET

