Tensionet midis policisë dhe aktivistëve janë rindezur këtë mbrëmje përpara Kryeministrisë, ku protestuesit dolën në rrugë për një tubim të lejuar. Përplasje të ashpra kanë shoqëruar protestën, ndërsa përfaqësuesit e tubimit kanë deklaruar se policia ka ndërhyrë dhe ka penguar zhvillimin e saj normal.
Aktivistët kanë akuzuar autoritetet se po cenojnë të drejtën e tyre për të protestuar, edhe pse sipas tyre, tubimi ishte i njoftuar dhe i miratuar nga institucionet. Ata kanë kundërshtuar veprimet e policisë, duke theksuar se ajo ka për detyrë të sigurojë një ambient të sigurt për protestat paqësore.
Në momentet e tensionit janë dëgjuar thirrje të forta dhe akuza drejtuar efektivëve të policisë, ndërsa aktivistë të shumtë kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën se si po trajtoheshin pjesëmarrësit e protestës.
“Është me leje protesta! Po bëni vepër penale! Mos prekni gocat me dorë!”, dëgjohet të thërrasë një prej aktivistëve gjatë përplasjes me policinë.
Forcat e rendit kanë ndjekur dhe shoqëruar disa aktivistë përgjatë bulevardit, duke përdorur edhe forcën në ndërhyrjet e tyre. Sipas protestuesve, këto veprime janë cilësuar të papranueshme dhe të pajustifikuara, pasi nuk kishte arsye që të ndërpritej një tubim i zhvilluar në mënyrë të qetë.
