Milot Gashi, xhudisti nga Kosova, ka arritur të fitojë medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Kadetë që po mbahet në Selanik të Greqisë. Ai arriti të ngjitet në podium në kategorinë deri në 66 kilogramë, duke shfaqur një performancë të shkëlqyer, teksa në ndeshjen për medaljen e bronztë triumfoi kundër kundërshtarit serb.
Gashi nisi garën me tre fitore radhazi në tri përballjet e para. Në ndeshjen e hapjes, ai mposhti garuesin vendas Nikolaos Tosounidis me Ippon, më pas arriti fitore ndaj italianit Francesco Robert Di Benedetto. Edhe në përballjen e tretë, Gashi doli fitues me Ippon, kësaj here ndaj Ariel Yehuda Cohen.
Çerekfinalja i solli Gashit një humbje nga xhudisti moldav Vladislav Moga, duke e dërguar kështu në fazën e repasazhit. Në këtë fazë, sportisti kosovar mposhti me Ippon grekun Anastasios Kiourtzidis dhe siguroi një biletë për duelin për medaljen e bronztë.
Në finalen për vendin e tretë, Milot Gashi triumfoi ndaj xhudistit serb Luka Dangubiç me Yuko, duke ia siguruar Kosovës medaljen e bronztë në peshën deri në 66 kilogramë.
Gjatë kësaj gare, Gashi ishte nën drejtimin e trajnerëve Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi.
