MEPJ reagon për radhët në kufirin Kroaci–Mal i Zi: Po punohet për lehtësimin e kalimit të qytetarëve shqiptarë

Publikuar me datë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar për vonesat e gjata në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi, duke sqaruar se situata është pasojë e fluksit të lartë të udhëtarëve gjatë sezonit veror.

Sipas ministrisë, ky korridor rrugor përdoret çdo verë nga mijëra qytetarë shqiptarë që udhëtojnë drejt vendit, ndërsa fundjavat dhe ditët me ngarkesë më të madhe sjellin radhë të gjata dhe kohë pritjeje të zgjatura.

Institucioni bën të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kroacisë dhe Malit të Zi, përmes përfaqësive diplomatike shqiptare, me synimin që të përmirësohet menaxhimi i fluksit dhe të lehtësohet kalimi i qytetarëve, duke respektuar procedurat kufitare të secilit shtet.

Ministria thekson se po punohet për rritjen e kapaciteteve në pikat kufitare dhe për forcimin e koordinimit mes institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që të ulen sa më shumë radhët dhe koha e pritjes.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë çdo sezon veror përmes këtij itinerari, duke krijuar një ngarkesë të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare.

Në reagim theksohet gjithashtu se autoritetet shqiptare po shqyrtojnë, së bashku me vendet fqinje, zgjidhje praktike për të përmirësuar qarkullimin gjatë muajve të verës.

Ministria shton se, në perspektivë, zgjerimi i plotë i hapësirës Schengen në këtë pjesë të rajonit pritet të ndikojë në uljen e kohës së pritjes dhe në thjeshtimin e procedurave për udhëtarët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related