Një stuhi e pazakontë verore la pa energji elektrike dhjetëra mijëra familje në Letoni dhe Lituani, ndërsa të dyja vendet baltike përjetuan motin më të ashpër të këtij sezoni në vitet e fundit.
Operatori kombëtar i energjisë në Lituani njoftoi të hënën në mëngjes se “Energjia elektrike ende nuk është rikthyer në më shumë se 120 000 familje në Lituani”, ndërkohë që në Letoni, mbi 87 000 familje mbetën ende jashtë rrjetit elektrik.
Erëra me shpejtësi deri në 108 kilometra në orë goditën rajonin të shtunën, duke rrëzuar pemë dhe duke këputur degë që u rrëzuan mbi linjat elektrike, çka solli dëme të mëdha në rrjetin energjetik. Si pasojë e stuhisë, dy persona humbën jetën.
Shira të rrëmbyeshëm sollën përmbytje në zona të ndryshme, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit rrugor, trenave, fluturimeve ajrore dhe shërbimeve detare.
Sipas meteorologëve, “Reshjet mesatare mujore për gusht u regjistruan brenda gjysmë dite në disa zona”.
Autoritetet theksuan se punimet e pastrimit dhe riparimit pritet të zgjasin disa ditë, me bllokimet në trafik që do të vijojnë kryesisht në zonat rurale.

