Në një kohë kur lajmet e rreme dhe manipulimi i informacionit po bëhen gjithnjë e më të pranishme, nxënësit e shkollës së mesme “28 Nëntori” në Shkodër janë njohur me rreziqet e dezinformimit përmes një shfaqjeje teatrale.
Drama “Kur gënjeshtra vishet si e vërtetë” përcolli te të rinjtë mesazhin se informacioni duhet verifikuar përpara se të besohet apo të shpërndahet.
Përmes interpretimit të Eden Bushatit, Hea Lohjas dhe Noel Hoxhës, në skenë u soll një histori e vërtetë mashtrimi, e cila pak vite më parë përfshiu institucione arsimore dhe një ambasadë të rëndësishme në Shqipëri.
Gjatë aktivitetit, drejtorja e Zyrës Vendore Arsimore në Shkodër, Brisela Kadia, vuri në dukje rëndësinë e nismave që i ndihmojnë nxënësit të përballen me sfidat e epokës digjitale dhe të përdorin teknologjinë me përgjegjësi.
Ndërsa mësuesja Albana Kaloshi, në emër të shkollës “28 Nëntori”, u bëri thirrje të rinjve të reflektojnë mbi ndikimin e dezinformimit dhe pasojat që ai mund të sjellë në jetën e përditshme.
Regjisori Astrit Fani theksoi se përhapja e informacionit të rremë është një problem që prek të gjithë shoqërinë shqiptare, duke falënderuar personat dhe institucionet që kontribuuan në realizimin e shfaqjes.
Përpara ndalesës në shkollën “28 Nëntori”, pjesa teatrale ishte prezantuar edhe në shkollat e mesme “Oso Kuka” dhe “Jordan Misja”, si dhe në teatrin “Migjeni”, në kuadër të festivalit “Gjegju Fest”.
Shfaqja është pjesë e projektit “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe Artit Skenik për Luftimin e Dezinformimit”, i financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) dhe i zbatuar nga organizata Edu Media, e drejtuar nga gazetari Senad Nikshiqi.
