“Dëgjoja djalin të bërtiste, por nuk e shpëtoja dot!”/ Banori rrëfen momentet e tmerrit nga shpërthimi në Elbasan: U hodha nga kati i dytë, soleta e katit të tretë na ra sipër!

Një prej banorëve të pallatit që u dëmtua rëndë nga shpërthimi në Elbasan ka përshkruar çastet e frikshme që përjetoi së bashku me familjen, kur pjesë të ndërtesës u shembën dhe dolën pengesë për daljen nga banesa e tyre.

I tronditur dhe i dëshpëruar, ai kujton momentin e shpërthimit, kur dera e ballkonit e qëlloi në kokë, ndërsa dëgjoi të birin duke thirrur për ndihmë, pa pasur asnjë mundësi t’i gjendej pranë.

Sipas dëshmisë së tij, fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe, saqë një pjesë e soletës ra mbi katin ku ishte familja, duke bllokuar plotësisht derën dhe duke e bërë të pamundur largimin nga banesa.

“Më ra dera e ballkonit në kokë. Dëgjova tim bir të bërtiste ‘O ba, të lutem më ndihmo!’ dhe të mos kishe mundësi ta ndihmoje. U hodha nga kati i dytë. Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, sepse të gjithë në atë moment shihnin punën e vet. Vetëm di që dola në ballkon dhe thirra ‘Merrni zjarrfikësit’”, ka rrëfyer ai.

Ai tregon se djali i shpëtoi flakëve falë ndërhyrjes së shpejtë të bashkëshortes, e cila arriti të hapë derën e bllokuar për ta nxjerrë.

“Shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Soleta ra mbi katin tonë, zuri derën dhe nuk dilja dot të nxirrja djalin. Fatmirësisht erdhi gruaja, hapi derën dhe doli djali”, është shprehur ai.

Krahas traumës së përjetuar, banori hedh dritë mbi një tjetër problem: ndërhyrjen e pajisjeve të emergjencës e pengoi një ndërtim shtesë që bllokonte rrugën drejt pallatit, duke vështirësuar hyrjen e zjarrfikëses.

“Rruga ishte e zënë dhe zjarrfikësja nuk hynte dot. Është një shtesë që bllokonte hyrjen e automjetit”, ka deklaruar ai.

Shpërthimi i fuqishëm në ndërtesën pesëkatëshe në Elbasan ka shkaktuar dëmtime të rënda në strukturë. Nga të dhënat paraprake, një person ka humbur jetën, ndërsa një grua e moshuar mbetet ende e zhdukur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe