Një incident i rëndë ka ndodhur në Mitrovicë të Kosovës, ku një vajzë 18-vjeçare ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të miture 12-vjeçare.
Ngjarja u bë publike edhe në rrjetet sociale përmes një videoje ku shfaqet momenti i sulmit. E dyshuara, që sipas raportimeve është nga Prizreni, shihet duke sulmuar të miturën. Në pamje dëgjohet edhe zëri i një vajze tjetër që ishte e pranishme dhe që ka filmuar të gjithë incidentin.
Policia e Kosovës njoftoi se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave materiale, përfshirë videon që është shpërndarë në rrjetet sociale, ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë të dyshuarën 18-vjeçare.
Sipas autoriteteve policore, pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme hetimore, mbi bazën e vendimit të prokurorit kompetent, të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit policor për një periudhë prej 48 orësh.
Ngjarja po hetohet si vepër penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe procedurat janë duke vazhduar nën koordinimin e Prokurorisë.

