Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi vijoi denoncimin duke pretenduar se pas kompanisë GLG Investment që mori aksionet e kazinosë në “Air Albania” fshihet një strukturë offshore me pronarë të paqartë.
Në konferencën për mediat në krah të kryedemokratit Sali Berisha, Këlliçi ngriti dyshime për lidhje mes kësaj skeme dhe personave të afërt me vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën.
Këlliçi: Përtej veprimeve të AMLF, Autoritetit të Konkurrencës dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave, të cilat kanë certifikuar këtë skemë të kundraligjshme, një tjetër institucion del i përfshirë dhe ai është Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga vetë Edi Rama.
Në kartelën e pasurisë ishte regjistruar një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë Premium Finance Invest sh.p.k., me pronar indirekt shtetasin Bledar Sinani.
Kjo shoqëri ka si aksioner Power Invest, e themeluar në Austri. Në vitin 2021, Power Invest është përthithur nga shoqëria SIG Holding GmbH e Bledar Sinanit.
Në korrik të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike, me vendimin nr. 6/5, datë 15.07.2021, ka vendosur të japë miratimin si investitor strategjik për një investim në Kepin e Rodonit.
Deri më sot masa e shpronësimit për ndërtimin e një kompleksi privat vilash nuk i është dhënë asnjë investitori tjetër përveç Bledar Sinanit dhe pikërisht në zonën e Kepit të Rodonit.
Kush fshihet pas GLG INVESTMENT?
GLG INVESTMENT është themeluar në mars të vitit 2024, me aksioner shtetasin Gerti Shkëlqim Lumani.
Në nëntor të vitit 2024, ky shtetas me nënshtetësi amerikane ia shet aksionet kompanisë LAKE HORIZONT LLC, e regjistruar në shtetin Wyoming (offshore), më 02.05.2024.
Për këtë kompani nuk ka të dhëna për aksionerët fundorë, pasi është e regjistruar offshore.
Nëse kërkojmë në QKB të dhënat për shoqërinë GLG INVESTMENT rezulton se aksioneri i vetëm që zotëron 100% të subjektit LAKE HORIZONT LLC është shtetasi venezuelian Joselises Maradey Marquez.
Sipas faqes zyrtare të shtetit të Wyoming, Joselises Marquez cilësohet si “Organizer”, por jo si aksioneri i kësaj kompanie.
Sa i përket këtij shtetasi, nuk rezulton të gjenden të dhëna për ndonjë aktivitet ekonomik apo eksperiencë në fushën e lojërave të fatit që t’i sigurojnë financa të mjaftueshme për të investuar në kompani.
Pra është e qartë se kjo kompani është krijuar offshore, me pronarë fiktivë, vetëm për të fshehur pronësinë e vërtetë.
Për t’u thelluar më tej mblodhëm të dhëna për shtetasin Gerti Shkëlqim Lumani, i cili jeton në Troy, Michigan.
Babai i tij, shtetasi Shkëlqim Lumani, nga një dokument zyrtar amerikan, rezulton si palë e lidhur me shtetasin Gert Haka.
Dhe këtu mbërrijmë tek pika kyçe e të gjithë kësaj skeme korruptive.
Gert Haka, një shtetas shqiptar, i cili më parë ka jetuar në Troy Michigan, aty ku ka jetuar dhe Olsi Rama, që prej vitit 2013 është rikthyer në Shqipëri dhe shoqëron kudo mikun e ngushtë Olsi Rama.
Miqësia e tyre jo vetëm që dihet nga të gjithë në Tiranë, por sipas Këlliçit faktohet edhe nga fakti që ky shtetas e shoqëron Ramën në aktivitete të ndryshme.
Gert Haka është personi që Olsi Rama ka përmendur në një emision në Top Channel si shokun që e shoqëroi në Serbi në vitin 2014, kur luante kombëtarja shqiptare.
Gert Haka është shfaqur edhe në fotografi me djalin e Olsi Ramës gjatë vizitave në Shqipëri.
Gert Haka është ai që shoqëron Olsin edhe në ndeshjet e Partizanit.

