Institucionet e specializuara kundërshtuan projektin, por drejtuesit e IKTK-së hapën rrugën për një ndërtesë 14.75 metra që ndryshon volumin, arkitekturën dhe siluetën historike të zonës.
DRTK Shkodër dhe specialistët e IKTK-së dokumentojnë rritjen e lartësisë, ndryshimin e volumit, prishjen e godinës së Kolë Idromenos dhe dominimin mbi Banesën e Dabërdakëve. Projekti synon tri kate, çati të shfrytëzueshme dhe dy kate nëntokësore në zemër të Qendrës Historike
Projekti hotelier me vlerë rreth 214,8 milionë lekë synon të ruajë fasadat si dekor, të shembë godinën pas tyre dhe të ndërtojë një strukturë të re që arrin 14.75 metra. Dy struktura shtetërore e kanë cilësuar propozimin të paharmonizuar me Gjuhadolin dhe në kundërshtim me kriteret e VKM-së nr. 771. Nëse KKTKM e ka miratuar projektin, Ministria e Kulturës duhet të publikojë vendimin, votat dhe argumentet që rrëzuan ekspertizën e institucioneve të saj.
Një projekt hotelerie kërkon të ndryshojë përmasat, siluetën dhe strukturën ndërtimore të një prej pjesëve më të ndjeshme të Qendrës Historike të Shkodrës. Projekti shtrihet në kryqëzimin e rrugës “Gjuhadol” me rrugën “Luigj Gurakuqi”, në parcelat kadastrale 589, 768, 588 dhe 304. Një pjesë e pronës ndodhet brenda Qendrës Historike, ndërsa pjesa tjetër ndodhet brenda zonës së saj mbrojtëse.
Pala e interesuar ka paraqitur një projekt për kthimin e kompleksit ekzistues në hotel. Preventivi arrin në 214,800,135.86 lekë me TVSH, ndërsa grafiku parashikon 30 muaj punime.
Dokumentet zyrtare tregojnë se projekti nuk kufizohet te restaurimi. Ai parashikon prishjen e godinës ekzistuese, përveç fasadës kryesore përgjatë rrugës, ndërtimin e dy kateve nëntokësore në të gjithë gjurmën e pronës, tri kate mbi tokë me çati të shfrytëzueshme brenda Qendrës Historike dhe katër kate në pjesën që hyn në zonën mbrojtëse.
Projekti ruan fasadat nga rruga, por ndërton pas tyre një strukturë të re me sistem tra-kolonë. Kjo ndërhyrje e redukton restaurimin në ruajtjen e një lëkure të jashtme, ndërsa ndryshon objektin, volumin dhe raportin e tij me ansamblin urban.
Relacioni** e kundërshton propozimin me të dhëna konkrete. Drejtoria konstaton se ndërtesa ekzistuese ka dy kate, ndërsa projekti e kthen në objekt trekatësh dhe tjetërson fasadën. DRTK e identifikon ndërtesën si vepër të Kolë Idromenos dhe vlerëson se struktura e re prish integritetin ndërtimor dhe estetik të rrugës.
Fotografitë historike dhe projekti i gjendjes ekzistuese tregojnë një ndërtesë qendrore dykatëshe dhe dy objekte anësore njëkatëshe. Projekti i ri shton një kat mbi ndërtesën kryesore, plotëson në lartësi të dyja pjesët anësore dhe e zhvillon krahun drejt rrugës “Luigj Gurakuqi” deri në katër kate.
DRTK Shkodër evidenton diferencën numerike. Korniza e çatisë së ndërtesës ekzistuese arrin 7.63 metra. Projekti e çon kornizën e re në 10 metra dhe lartësinë maksimale në 14.75 metra. Pra, projekti pothuajse dyfishon lartësinë e dukshme të kompleksit.
VKM nr. 771, datë 30 shtator 2020, nuk e trajton ruajtjen e volumit si rekomandim. Neni 10, pika 2, kërkon që projektuesit të respektojnë raportet urbanistike dhe vëllimore, trajtimin arkitekturor, elementet arkitektonike dhe volumin ekzistues. I njëjti nen kërkon dokumentacion të qartë fotografik dhe grafik.
Dokumentacioni fotografik ekziston. Fotografitë historike tregojnë lartësitë, çatitë, ritmin e fasadave dhe ndryshimet arkitekturore mes tri objekteve. Projekti nuk rikthen këtë konfigurim. Ai e përdor dokumentacionin për të riprodhuar elemente dekorative, por ndërton një volum që fotografitë nuk e dokumentojnë.
Pika 4 e nenit 10 vendos edhe një kufi tjetër. Për çatitë e shfrytëzueshme brenda Qendrës Historike, lartësia nga terreni deri në kulm nuk duhet të kalojë 10 metra. Projekti shënon kuotën maksimale 14.75 metra. Teksti zyrtar i VKM-së nr. 771 përcakton gjithashtu se projektet duhet të respektojnë altimetrinë e rrugëve, përpjesëtimet volumore dhe karakteristikat tradicionale të zonës.
DRTK ngre edhe një problem teknik që kërkon hetim administrativ. Projekti parashikon prishjen e godinës, përveç fasadave, si dhe gërmime deri në kuotën minus 5.90 metra. Por preventivi nuk përmban punime prishjeje. Drejtoria kërkon sqarim se si do të realizohen dy katet nëntokësore pa dëmtuar fasadat ekzistuese dhe si do t’i lidhë ndërtuesi këto fasada me strukturën e re.
Kjo mospërputhje prek thelbin e ndërhyrjes. Projekti nuk mund të parashikojë prishjen në relacionin teknik dhe ta përjashtojë atë nga preventivi. Autoritetet duhet të përcaktojnë se çfarë do të shembë konkretisht zhvilluesi, si do ta mbrojë objektin e Idromenos dhe kush do të mbajë përgjegjësi për dëmet që mund të shkaktojnë gërmimet.
Edhe dokumenti* i datës 14 korrik 2026, kundërshton konfigurimin e propozuar. Specialistët vlerësojnë se ndërhyrja krijon një prani dominuese në strukturën tradicionale të zonës dhe ndryshon ndjeshëm volumin, lartësinë dhe siluetën e rrugës “Gjuhadol”.
Sektori kundërshton edhe formën e çatisë. Projekti zhvendos kulmin dhe ndryshon raportin ndërmjet planeve të saj. Specialistët konstatojnë se kjo zgjidhje nuk përputhet me tipologjinë e çative tradicionale dhe rrit më tej perceptimin e lartësisë.
Dokumenti identifikon si pikë kritike raportin me Banesën monumentale të Dabërdakëve. Sipas specialistëve, volumi i ri krijon një prani dominuese dhe ndryshon hierarkinë historike ndërmjet objekteve. Projekti nuk vendos më ndërtesën e re brenda ansamblit. Ai e vendos ansamblin nën peshën e ndërtesës së re.
Historia administrative e aplikimit tregon se institucionet e kanë ngritur të njëjtin problem disa herë. Këshilli Teknik shqyrtoi aplikimin e parë më 13 shkurt 2025 dhe kërkoi përshtatjen e projektit me VKM-në nr. 771. Sistemi e refuzoi aplikimin pasi aplikuesi nuk plotësoi dokumentacionin brenda afatit.
Zhvilluesi paraqiti të njëjtin projekt me një aplikim të ri më 17 qershor 2025. Këshilli Teknik e shqyrtoi më 18 nëntor 2025 dhe përsëriti kërkesën për respektimin e VKM-së. Më 30 janar 2026, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale shtyu vendimmarrjen dhe kërkoi sërish një projekt në përputhje me të njëjtën VKM. Aplikuesi dorëzoi dokumentacionin e plotësuar më 2 korrik 2026.
Një ditë më vonë, DRTK Shkodër evidentoi rritjen e lartësisë, ndryshimin e fasadës, përdorimin masiv të betonit, rrezikun nga gërmimet dhe mospërputhjen e preventivit. Më 14 korrik, sektori i specializuar i IKTK-së konstatoi se projekti nuk harmonizohet me karakterin historik, urban dhe arkitektonik të Gjuhadolit.
Nëse drejtuesit e IKTK-së dhe KKTKM-së e kanë miratuar projektin pas këtyre dy qëndrimeve, Ministria e Kulturës duhet të publikojë vendimin përfundimtar, procesverbalin, votat e anëtarëve dhe argumentet teknike që kanë justifikuar rrëzimin e ekspertizës. Një drejtues administrativ nuk mund ta zëvendësojë analizën e arkitektëve, restauratorëve dhe specialistëve me autoritetin e funksionit.
Dokumentet e paraqitura nuk provojnë vetë korrupsion penal. Ato provojnë një konflikt të drejtpërdrejtë ndërmjet parametrave të projektit dhe kritereve që institucionet shtetërore kanë detyrë të zbatojnë. Ato provojnë gjithashtu se dy hallka të specializuara e kanë kundërshtuar volumin e ri me argumente të matshme.
VKM-ja nr. 771 ngarkon Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Bashkinë Shkodër me zbatimin e planit të mbrojtjes. Ajo përcakton se KKTKM shqyrton dhe miraton projektet për rindërtimet, rikonstruksionet dhe plotësimet brenda Qendrës Historike. Këshilli nuk mund ta përdorë këtë kompetencë për të përjashtuar kriteret e po atij vendimi që i jep kompetencën.
Rasti i Gjuhadolit nuk prek vetëm një hotel. Ai përcakton nëse investitorët do të respektojnë volumin historik apo do t’i ruajnë fasadat si skenografi për ndërtime shumë më të mëdha. Nëse institucionet lejojnë këtë formulë, çdo objekt i degraduar në Qendrën Historike mund të kthehet në truall ndërtimi, ndërsa restaurimi mund të shërbejë si emërtim formal për prishjen dhe rindërtimin.
Shkodra nuk e mbron trashëgiminë duke fotografuar fasadën para se ta shembë godinën pas saj. Ajo e mbron duke zbatuar kufijtë e lartësisë, vëllimin ekzistues, tipologjinë e çative, raportin me rrugën dhe dokumentacionin historik. Për Gjuhadolin, këto kritere nuk përbëjnë çështje shijeje. VKM-ja nr. 771 i ka kthyer në detyrim ligjor.
Nga Pamfleti

