Vllaznia në volejboll për meshkuj u eleminua në Kupën e Federatës duke mos arritur që të shkojë në gjysmëfinale. Shkodranët humbën 0-3 ndeshjen e parë ndaj Erzenit dhe 2-3 ndeshjen e dytë përballë Partizanit.
Pas ndeshjes me Partizanin, trajneri kryeqytetas Ylli Tomorri deklaroi se ai nuk e ka parë Vllazninë më dobët se këtë radhë.
Tekniku i të kuqve shprehi keqardhje për Vllazninë duke kërkuar ndihmë për skuadrën shkodrane.
Trajneri Tomorri i bëri thirrje bashkisë Shkodër që të financojë për përforcimin e skuadrës me lojtarë sepse Shkodra nuk e meriton që të ketë këtë skuadër dhe pallati i sportit të jetë bosh.
Kjo thirrje e Ylli Tomorrit edhe pse është një trajner kundërshtar vjen për shkak të dashamirësisë që ai ka patur historikisht për Vllazninë dhe respektin për Shkodrën si qytet.
Të gjitha skuadrat e kampionatit kanë bërë përforcime të ndjeshme ndërsa Vllaznia pret ardhjen e ndonjë lojtari deri në fillim të kampionatit që do të jetë në ditët e para të tetorit.

