Një ngjarje tronditëse ka tronditur komunitetet e Almiros, Magnesias dhe Tyrnavos në Greqi, ku një 41-vjeçar është dërguar për gjykim para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Larisës, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur me vajzën 9-vjeçare të bashkëshortes së tij.
Sipas dosjes hetimore të referuar nga Këshilli i Gjykatave të Kundërvajtjeve të Volosit, ferri për fëmijën e mitur kishte nisur që në verën e vitit 2023. Në atë periudhë, nëna e vajzës, e cila ishte shtatzënë, kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, duke lënë të bijën e saj nga një martesë e mëparshme nën kujdesin dhe mbrojtjen e 41-vjeçarit.
Duke shfrytëzuar mungesën e nënës, i pandehuri e kishte detyruar fëmijën të flinte në të njëjtin shtrat me të, duke nisur ciklin e tmerrshëm të përdhunimeve dhe ngacmimeve të vazhdueshme.
Makthi i 9-vjeçares nuk ka marrë fund me kaq. Abuzimi ka vijuar pa ndërprerje deri në pranverën e vitit 2025, edhe pasi nëna ishte kthyer sërish në Greqi. Fëmija nuk kishte gjetur forcë për të folur, pasi ndodhej nën një terror të plotë psikologjik.
Për të mbajtur gojën mbyllur, 41-vjeçari e kishte kërcënuar drejtpërdrejt se do të dëmtonte ose do të vriste të afërmit e saj të ngushtë, konkretisht gjyshen dhe xhaxhain e saj nga ana e babait.
Ngjarja e rëndë ka dalë në dritë vetëm falë ndërgjegjësimit dhe ndërhyrjes së palëve të treta, të cilat u bënë të vetëdijshme për situatën dramatike dhe njoftuan autoritetet. Tashmë, 41-vjeçari do të përballet në gjykatë me akuzat e rënda për “përdhunim të përsëritur të një të miture” dhe “abuzim në akt të pahijshëm të një të miture nën moshën 14 vjeç”, për të cilën kujdesi dhe mbrojtja i ishin besuar nga prindi.

