Aktivistja e njohur Greta Thunberg ka dhënë mbështetjen e saj për demonstruesit në Tiranë, të cilët prej 173 ditësh po qëndrojnë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në një videomesazh të transmetuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë, Thunberg u shpreh në solidaritet me qytetarët shqiptarë, duke vënë në dukje qëndresën e tyre ndaj korrupsionit, dëmtimit të natyrës dhe përdorimit të dhunës shtetërore.
Ajo ndali vëmendjen te situatat që protestuesit kanë përjetuar në përballje me policinë, duke dënuar si “një represion të paprecedentë ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre themelore”. Thunberg theksoi se rezistenca e shqiptarëve kundër autoriteteve ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe se protestuesit gëzojnë përkrahjen e komunitetit global.
“Jemi aktualisht në Tiranë, Shqipëri, në ditën e 173-të të protestës së pandërprerë gjatë Revolucionit të Flamingos.
Populli shqiptar ka treguar se si mund të bëhet rezistencë kundër shkatërrimit të natyrës, shitjes së vendit fuqive imperialiste, si dhe kundër dhunës shtetërore dhe korrupsionit. Dhe e gjithë kjo, thjesht duke ushtruar të drejtat dhe liritë e tyre themelore, përfshirë të drejtën për të protestuar.
Protestuesit janë përballur me dhunë dhe represion të paprecedentë nga policia dhe shteti. Bota qëndron në solidaritet me Revolucionin e Flamingos dhe po ndjek me vëmendje gjithçka që po ndodh”, deklaron Greta Thunberg.
