Gazetarja, Ola Xama rrëzon teoritë e komplotit: Nuk dola për Trumpin, por kundër mënyrës si po qeveriset Shqipëria

Publikuar me datë:

Gazetarja Ola Xama ka reaguar ndaj teorive që po qarkullojnë pas protestës për Zvërnecin, sipas të cilave demonstrata është nxitur nga qarqe amerikane anti-Trump për të dëmtuar familjen presidenciale përpara zgjedhjeve në SHBA.

Përmes një reagimi publik, Xama e cilëson këtë pretendim si “injorancë të pastër”, duke argumentuar se zgjedhësit amerikanë vendosin votën e tyre mbi çështje që lidhen me ekonominë, punësimin, emigracionin, sistemin shëndetësor dhe politikat e jashtme të vendit të tyre, e jo mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

Sipas saj, artikujt dhe raportimet për protestat në Shqipëri zënë një hapësirë sporadike në mediat ndërkombëtare dhe nuk kanë ndikim në rezultatin elektoral amerikan.

Xama shprehet se ka marrë pjesë në protestë jo vetëm për çështjen e Zvërnecit, por edhe si reagim ndaj mënyrës se si qytetarët po përjashtohen nga vendimmarrja, ndaj korrupsionit që sipas saj po prek çdo sektor, si dhe ndaj betonizimit të qyteteve dhe zvogëlimit të hapësirave publike.

“Unë isha në protestë sepse shoh se si paratë publike dhe asetet e përbashkëta po përqendrohen në duart e pak individëve, ndërsa vendi po boshatiset dita-ditës”, shkruan ajo.

Gazetarja thekson se shqetësimi i saj lidhet me të ardhmen e Shqipërisë dhe me rrezikun që vendi të humbasë popullsinë aktive, duke mbetur vetëm me pensionistë, administratë dhe një ekonomi të mbështetur kryesisht te shërbimet dhe turizmi.

Në fund të reagimit, Xama shprehet se do të vazhdojë të jetë pjesë e protestave, pasi ende beson se gjërat mund të ndryshojnë dhe se Shqipëria mund të ofrojë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Postimi i plotë:

Mes shumë konspiracioneve që kanë qarkulluar këto ditë, ajo më e fundit ka të bëjë me nxitjen e protestës nga linjat amerikane anti-Trump, duke e mbështetur teorinë dhe te pasqyrimi që bënë sot mediat e huaja.

Thuhet se protesta është nxitur për të dëmtuar familjen presidenciale Trump përpara zgjedhjeve të Senatit dhe Kongresit.

Personalisht mendoj se është injorancë e pastër. Mjafton të shohësh se ku përqëndrohen fushatat në SHBA, për të kuptuar se ajo për të cilën votojnë amerikanët është ekonomia e tyre, çmimet, punësimi, politikat e emigrimit, sistemi shëndetësor, qasja dhe shpenzimet për luftën dhe një ndër to është edhe demokracia e integriteti i qeverisjes.

POR, integriteti i qeverisjes në SHBA, e jo në Shqipëri!

Në përditshmërinë e publikimeve, artikulli për protestën në Shqipëri zë një vend sporadik që nuk do të ndryshonte asnjë votë pro apo kundër Republikanëve.

Për më tepër përse do të zgjidhej që komploti të bëhej nga Shqipëria kur debatet më të mëdha janë të fokusuara te qasja që ka presidenca Trump në Iran, Siri dhe Palestinë, të cilat kanë krijuar dhe kosto për qytetarët te rritja e çmimit të naftës apo financimin e armëve të Izraelit?!

Unë nuk mund të flas në emër të askujt, por vetë isha në protestë jo vetëm për Zvërnecin, por për mënyrën se si pushteti na ka përjashtuar si qytetarë nga vendimarrja, se si korrupsioni vazhdon të rritet në çdo fushë – madje duke na mohuar të drejtën për ajër të pastër, ushqim të sigurt dhe kujdes shëndetësor, se si qyteti ku unë bashkë me djalin tim jetoj është betonizuar dhe hapësirat e parqeve janë zvogëluar, se si paratë e buxhetit dhe asetet publike i janë ndarë 10 individëve, e se si ky model që disa e quajnë zhvillim po boshatis vendin.

Isha në protestë që Shqipëria të mos përfundojë me 500 mijë banorë, dhe ata që do mbeten këtu të jenë pensionistë, administratë dhe pak biznese shërbimesh e turizmi.

Isha dhe do të jem dhe sot se kam ende pak shpresë që mund të jetoj në këtë vend dhe gjërat mund të ndryshojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

E paprecedentë/ Federata e Maqedonisë së Veriut përjashton klubin shqiptar nga Kupa

Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka vendosur...

Ç’po ndodh në bulevard/ Rama ndalon marshimin e protestuesve? Gardh te Kryeministria

Policia ka vendosur gardh metalik te ura e Lanës, pak...

U padit për shpifje, GJKKO shpall të pafajshëm Erion Braçen

Gjykata e Posaçme ka marrë sot (3 qershor) vendimin...

Protestë edhe në Durrës për Zvërnecin, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Qytetarët e Durrësit janë mbledhur sot para bashkisë, duke protestuar kundër...