Një dëshmi e dhimbshme nga e kaluara komuniste është rrëfyer në Shkodër nga 74-vjeçari Gjergj Neli, me origjinë nga Kelmendi i Malësisë së Madhe.
Me emocion dhe lot në sy, Neli ka treguar historinë e familjes së tij, duke rrëfyer se babai i tij u pushkatua nga regjimi komunist në moshën vetëm 27 vjeç. Në atë kohë, ai vetë ende nuk kishte lindur dhe ndodhej në barkun e nënës.
Vetëm tri ditë pas ekzekutimit të të atit, Gjergj Neli erdhi në jetë. Një lindje që duhej të ishte moment gëzimi për familjen, por që u përjetua mes dhimbjes së humbjes dhe pasigurisë për fatin e babait.
Edhe sot, pas dekadash, familja Neli nuk ka mundur të gjejë eshtrat e tij dhe nuk ka një vend ku të përkujtojë babain e 74-vjeçarit.
Dëshmia u bë gjatë aktivitetit të zhvilluar sot në Shkodër në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ku u rikthyen në vëmendje historitë e familjeve që ende kërkojnë gjurmët e të afërmve të humbur gjatë diktaturës.
Në rrëfimin e tij, Gjergj Neli u ndal edhe te figura e Prekë Calit, veprimtarit të njohur të Kelmendit dhe një prej figurave të lidhura me historinë e familjes së tij. Sipas Nelit, Calit iu mohua dinjiteti nga regjimi komunist dhe, edhe dekada pas rënies së diktaturës, kujtimi i tij nuk është trajtuar siç duhet.
Ai kritikoi veçanërisht faktin që kulla e Prekë Calit në Kelmend është shkatërruar dhe, sipas tij, ende nuk është rindërtuar. Për Nelin, kjo është një tjetër goditje ndaj kujtesës historike të familjes dhe krahinës.
Historia e familjes Neli është vetëm një prej shumë dëshmive që mbartin familjet shqiptare të prekura nga diktatura. Pushkatimet, burgosjet, internimet, torturat dhe zhdukjet lanë pas mijëra viktima dhe familje që, edhe sot, kërkojnë të dinë të vërtetën për fatin e të afërmve të tyre.
Dekada pas përfundimit të regjimit komunist, shumë prej këtyre historive vijojnë të mbeten plagë të hapura në kujtesën e shoqërisë shqiptare.

