Ditët e fundit të gushtit nuk kanë sjellë ende një ulje të ndjeshme të trafikut në qendër të Shkodrës. Sheshi “Demokracia” vijon të jetë një prej pikave ku fluksi i automjeteve ndihet më shumë, veçanërisht në oraret e pikut.
Lëvizjeve të zakonshme të qytetarëve u shtohen turistët që vizitojnë Shkodrën dhe emigrantët që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në vendlindje. Kjo bën që në momente të caktuara të ditës qarkullimi në zonën qendrore të ngadalësohet.
Ngarkesa bëhet më e dukshme në Sheshin “Demokracia”, ku kryqëzohen disa prej akseve kryesore të qytetit dhe ku krahas automjeteve ka një lëvizje të vazhdueshme të biçikletave dhe këmbësorëve.
Një tjetër problematikë që shoqëron fluksin veror është parkimi. Numri i shtuar i automjeteve rrit kërkesën për vende parkimi, veçanërisht pranë qendrës dhe zonave më të frekuentuara.
Edhe pse sezoni veror po i afrohet fundit, qendra e Shkodrës vijon të ketë një qarkullim të ngarkuar. Normalizimi i trafikut pritet të jetë gradual me përfundimin e gushtit dhe uljen e fluksit sezonal.


