Gjykata në Prishtinë e ka dënuar të premten Ekrem Bajroviçin me 12 vjet burg, në riprocesein e tij për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë, gjatë konfliktit të vitit 1998-’99.
Bajroviç u shpall përsëri fajtor për krime lufte të kryera ndaj civilëve shqiptarë në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe disa fshatra të tjera në Komunën e Istogut, në fillim të vitit 1999.
Këto dënime erdhën pas një rishikimi të rastit nga Gjykata Supreme, e cila e ktheu çështjen për rigjykim vitin e kaluar.
Gjykata Themelore e kishte dënuar Bajroviçin me të njëjtën masë burgimi në korrik të vitit 2024, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit, e cila hodhi poshtë ankesën e mbrojtjes më 2025.
Sidoqoftë, Gjykata Supreme pranoi ankesën e avokatëve të Bajroviçit në 2025 dhe anulloi aktgjykimin, duke theksuar se disa dëshmitarë kishin dhënë dëshminë e tyre edhe para autoriteteve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por këto dëshmi nuk ishin përfshirë në provat e dosjes.
Gjykata kishte arritur në përfundimin se këto dëshma duheshin siguruar dhe shqyrtuar së bashku me provat përkatëse.
Bajroviqi ka të drejtën e ankesës edhe për dënimin e tij të fundit në këtë shkallë gjyqësore.
Për çfarë krimesh u dënua Bajroviqi?
Siç tregohet në aktgjykim, më datat 7 dhe 8 maj 1999, Bajroviqi ishte pjesë e një operacioni të forcave serbe që synonte popullatën civile shqiptare në fshatrat e Istogut. Si pasojë, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.
Bajroviqi i ndau burrat nga gratë në kolonën që po shkonte për në Shqipëri, duke i plaçkitur ata. Pas kësaj, forcat serbe i dërguan ata në një shtëpi në Staradran, ku, sipas gjykatës, “pushkatuan të paktën 16 civilë të kombësisë shqiptare”.
Po ashtu, më 7 maj 1999, ai mori pjesë në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, duke i separuar fillimisht nga pjesa tjetër e civilëve, u morën të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë, dhe më pas të gjithë u dërguan në Gurrakoc, në lokalin e Sh.S, ku ishin maltretuar dhe torturuar në kushtet më inhumane.”
Një ditë më pas, më 8 maj 1999, ata u dërguan në stacionin policor në Gurrakoc, ku Bajroviqi udhëhoqi kolonën.
Kohën e kaluar në paraburgim, që nga 19 tetori 2022, do ta ketë të llogaritur si pjesë të dënimit të tij.
Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se 13,000 civilë, shumica shqiptarë, humbën jetën, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Rreth 1,500 persona mbeten ende të pagjetur, përfshirë shumicën shqiptarë.
Ndërkohë, autoritetet kosovare kanë arrestuar një numër të konsiderueshëm të dyshuarish dhe kanë ngritur disa aktakuza për krime lufte në Kosovë.
Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra individë janë dënuar për këto krime nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht, nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008, hetimet janë kryer nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Më 2018, EULEX i dorëzoi lëndët organave të drejtësisë vendore.
Nga REL

