Demo prezanton prioritetet për vitin 2027: 1.8 miliardë lekë për rindërtimin në Tiranë, në fokus edhe reforma territoriale

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi përpara Kuvendit prioritetet e projektbuxhetit për vitin 2027, duke theksuar se rritja e fondeve do të sjellë më shumë siguri për qytetarët, përkrahje të shtuar për punonjësit e Policisë së Shtetit, si dhe shërbime të përmirësuara në territore.

Sipas Demos, buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme kap vlerën e rreth 40 miliardë lekëve, që përfaqëson një rritje 12% në raport me vitin 2026. Një segment kyç i këtij planifikimi buxhetor është zbatimi i një politike të re pagash, për të cilën janë caktuar 3.3 miliardë lekë. Nga kjo nismë, rreth 8,174 efektivë policie me gradën inspektor do të përfitojnë një shtesë mujore prej 23,600 lekësh, ose 27%. Për gradat e tjera, shtesa mujore varion në 15 mijë lekë, duke sjellë rritje nga 13% deri në 17% në varësi të vjetërsisë në detyrë.

Përveç rritjes së pagave, 2.8 miliardë lekë janë planifikuar për investime të brendshme, ndërsa projekti “Smart City” do të përfitojë 1.85 miliardë lekë për të rritur kapacitetet teknologjike të Policisë së Shtetit dhe për të forcuar luftën kundër paligjshmërisë. Gjithashtu, në vitin 2027 është planifikuar të nisë investimi për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Demo foli edhe për domosdoshmërinë e rritjes së profesionalizmit dhe llogaridhënies tek punonjësit e Policisë, duke nënvizuar reformën në Akademinë e Sigurisë, e cila po mbështetet nga institucionet homologe italiane dhe pritet të sjellë standarde të reja në përgatitjen policore.

Buxheti i vitit 2027 parashikon gjithashtu mbështetje për pushtetin vendor. Shuma që do t’i transferohet bashkive arrin në 49.4 miliardë lekë, me një rritje prej 4%. Granti i Performancës mbetet në nivelin e 200 milionë lekëve, i dedikuar për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve. Prioritete të rëndësishme do të jenë gjithashtu Reforma Territoriale, decentralizimi dhe forcimi i kapaciteteve administrative dhe financiare të bashkive.

Ministri ndaloi edhe te procesi i rindërtimit, duke sqaruar se nga buxheti i vitit 2026, Bashkia e Tiranës do të përfitojë 1.8 miliardë lekë për të përshpejtuar këtë proces. Po e njëjta mbështetje buxhetore planifikohet edhe për bashkitë e prekura nga tërmetet gjatë vitit 2027.

Demo përmbylli prezantimin duke theksuar se suksesi i këtij buxheti matet mbi të gjitha nga ndryshimet që priten të sjellë në jetën e përditshme të qytetarëve, përmes sigurisë më të lartë publike, ofrimit të shërbimeve më cilësore dhe afërsisë më të madhe të institucioneve me publikun.

Fjala e plotë e ministrit Demo:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë,

Së pari është përmendur gjatë gjithë ditës sot, që ky është buxheti më i madh që ky parlament do të votojë, por e rëndësishme është arsyeja pse ky buxhet është më i madhe. Patjetër ajo fillon me rritjen reale që ne tashmë kemi për Produktin e Brendshëm Bruto, investimet e huaja në nivele të qëndrueshme, turizmi një sektor që vazhdon dhe zgjerohet me ritme të shpejta, inflacioni nën kontroll, stabilitet fiskal dhe patjetër borxhi në parametra optimal. Por, patjetër që nuk është e rëndësishme vetëm sa shpenzojmë, por çfarë ndryshon për qytetarin. Duke u referuar se çfarë mbulon Ministria e Brendshme, që është siguria publike dhe Pushteti Vendor, të cilat nuk janë dy fusha që nuk përkojnë më njëra-tjetrën, sepse siguri publike do të thotë edhe se si funksion një qytet, edhe hapësirat publike dhe shërbimet e qytetarëve dhe patjetër sa afër janë institucionet pranë tyre.

Siguria publike është shtrati kryesor i çdo zhvillimi qëndrueshëm ekonomik dhe në mënyrë absolute ajo ofron në të njëjtën kohë dhe të gjithë kushtet e duhura për sa i përket dhe zhvillimit të sektorëve specifikë sidomos duke iu referuar turizmit. Prandaj buxheti matet me ndryshimet që sjell në jetën e qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe