Bashkia Shkodër ka nisur konsultimet me banorët e disa njësive administrative në kuadër të hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2027-2029 dhe projektbuxhetit për vitin 2027.
Takimet e para janë zhvilluar me banorët e Rrethinës, Pultit, Shoshit dhe Shalës, ku diskutimet u përqendruan te nevojat e komuniteteve dhe investimet që kërkohen për vitet e ardhshme.
Gjatë konsultimeve, banorët ngritën edhe një sërë problematikash që kërkojnë zgjidhje. Në fokus ishin rrugët dhe infrastruktura, kushtet e objekteve arsimore, ndriçimi publik dhe përmirësimi i shërbimeve që ofrohen nga pushteti vendor.
Një tjetër pjesë e diskutimit lidhej me projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore. Banorët patën mundësi të paraqesin qëndrimet dhe propozimet e tyre lidhur me ndryshimet e propozuara.
Konsultimet publike do të vijojnë edhe në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Shkodër. Takimi i radhës është parashikuar të zhvillohet të hënën, më 14 shtator, në Njësinë Administrative Ana e Malit.

