Myftinia Shkodër ka dalë kundër organizimit të Festës së Birrës në qendër të qytetit, pranë xhamisë, duke e konsideruar aktivitetin një provokim ndaj komunitetit mysliman.
Në një reagim publik, imami i xhamisë së Parrucës, Naim Drijaj, tha se besimtarët duhet të distancohen nga kjo festë dhe nga konsumimi i alkoolit, të cilin feja islame e konsideron të ndaluar.
“Kush promovon alkoolin është shejtan”, u shpreh Drijaj, duke bërë thirrje për shmangien e kësaj feste dhe të harameve të tjera të përcaktuara nga besimi islam si dhe duke drejtuar këtë shprehje për kryetarin e bashkisë Shkodër Benet Beci si organizatori kryesor i kësaj feste.
Myftinia shprehet se vendosja e një aktiviteti ku promovohet dhe konsumohet alkool në afërsi të një xhamie përbën një provokim të panevojshëm.
Sipas saj, nuk është e drejtë që besimtarët myslimanë të ndihen të privuar nga mundësia për të frekuentuar sheshin me familjet e tyre për shkak të pranisë së alkoolit në këtë organizim.
Reagimi i Myftinisë vjen në kohën kur Bashkia Shkodër ka organizuar Festën e Birrës në qendër të qytetit, aktivitet që ka sjellë përplasje publike me komunitetin fetar për shkak të vendndodhjes dhe natyrës së tij.

