Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar me tone të forta ndaj qëndrimeve të lëvizjes studentore në Serbi dhe raportit të kryeministrit Edi Rama me presidentin serb Aleksandar Vučić.
Përmes një postimi publik, Spahia e cilësoi “tronditëse” mbështetjen që, sipas tij, studentët serbë po i japin Vuçiçit kundër Kosovës, duke shtuar se kjo tregon se shoqëria serbe vijon të mbetet e lidhur me të kaluarën nacionaliste dhe shoviniste.
Deputeti demokrat theksoi se Kosovo është dhe do të mbetet shtet i pavarur e sovran, ndërsa akuzoi Beogradin për skenarë antishqiptarë.
Në reagimin e tij, Spahia rezervoi kritika edhe ndaj Ramës, duke e akuzuar se po mban gjallë një “vëllazëri të turpshme” me Vuçiçin. Sipas tij, kjo nuk është diplomaci, por tradhti ndaj interesave kombëtare dhe sakrificës së Kosovës për liri.
Më tej, ai u bëri thirrje të rinjve shqiptarë dhe veçanërisht të rinjve socialistë që të mos heshtin përballë zhvillimeve që prekin interesin kombëtar.
“Rinia ka qenë gjithmonë motori i ndryshimeve të mëdha. Sot duhet të jemi një zë i vetëm në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe të ardhmes së Kosovës”, shprehet Spahia në postimin e tij.
POSTIMI I PLOTË
Është tronditëse të shohësh se si lëvizja studentore në Serbi, në vend që të jetë avangarda e progresit, rreshtohet verbërisht pas ish ministrit të Millosheviç, Vuçiç, kundër Kosovës.
Nëse rinia ushqehet me helmin e shovinizmit, tregon se sa thellë ka ngecur ajo shoqëri në të shkuarën gjakatare dhe të errët.
Kosova është dhe do të mbetet shtet i pavarur e sovran. Asnjë skenar i Beogradit nuk e ndryshon dot këtë realitet!
Por më e rëndë është thika pas shpine nga Tirana. Ndërsa atje gatuhen plane antishqiptare, Edi Rama vazhdon të mbajë gjallë një “vëllazëri” të turpshme me Vuçiçin. Kjo nuk është diplomaci, kjo është tradhti e hapur ndaj interesave tona kombëtare dhe sakrificës së Kosovës për liri.
Kur flitet për Kosovën dhe interesin kombëtar
nuk bëhet më fjalë për betejë partish por çështjen e dinjitetit tonë.
Ju drejtohem juve, të rinjve shqiptarë, dhe veçanërisht juve të rinjve socialistë. Mos heshtni. Mos u bëni bashkëfajtorë me heshtjen tuaj përballë një lideri që ka humbur çdo busull kombëtare. Ideologjia dhe partia nuk mund të dalin kurrë mbi Gjakun dhe Kombin.
Ngrijeni zërin! Rinia ka qenë gjithmonë motori i ndryshimeve të mëdha. Është koha të tregoni se nuk mund të shitet e ardhmja e Kosovës për interesat dhe fotot e buzëqeshura të Edi Ramës me Vuçiçin.
Nuk ka progres duke përkëdhelur autokratët e Beogradit dhe duke braktisur shqiptarët. Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi një zë i vetëm, i fortë dhe krenar në mbrojtje të dinjitetit tonë kombëtar dhe të ardhmes së kombit tonë.

