Kryeministri Edi Rama ka dalë me një deklaratë pas vendimit të gjykatës që la në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë reagimit të tij publik, Rama kritikoi vendimin, duke theksuar se kryeqyteti është “pa kokë”. Sipas tij, mbajtja në paraburgim e Veliajt ka pasur pasoja për Tiranën.
Reagimi i plotë:
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!
Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.
Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:
Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”

