Ambasada e Izraelit në Portugali ka kërkuar publikisht anulimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, që është planifikuar të mbahet sonte në Algarve. Sipas ambasadës, West ka shprehur më parë qëndrime që “promovojnë antisemitizmin dhe glorifikojnë nazizmin”. Organizatorët e koncertit, nga ana tjetër, kanë deklaruar se nuk ekzistojnë arsye sigurie që të çojnë në anulimin e ngjarjes dhe e kanë konsideruar kërkesën si të bazuar në “dezinformata”.
Ambasadori izraelit në Portugali, Oren Rosenblatt, bëri të ditur se ambasada i ka kërkuar autoriteteve që të anulojnë koncertin, ndërsa u bëri apel qytetarëve të shmangin pjesëmarrjen në të.
“Një person që lavdëroi Adolf Hitlerin, promovoi antisemitizmin dhe pretendoi se skllavëria ishte çështje zgjedhjeje nuk po përhap provokime, por gjuhë urrejtjeje”, theksoi Rosenblatt në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, citon Euronews.
Ai rikujtoi deklaratat problematike të West, ndër të cilat edhe pohimin se “e do Hitlerin” dhe vetëshpalljen si “nazist”, duke theksuar se këto mesazhe përbëjnë një lavdërim të regjimit nazist dhe nxisin urrejtje kundër hebrenjve.
Sipas Rosenblatt, disa shtete tashmë kanë ndërmarrë hapa për të ndaluar shfaqjet ose hyrjen e West në territorin e tyre. Ai shtoi se shoqëritë demokratike nuk duhet të lejojnë që individët që përhapin nazizëm dhe antisemitizëm të kenë hapësirë publike.
“Nëse nuk do të blije një biletë për një interpretues që nxit urrejtje kundër zezakëve, myslimanëve, të krishterëve ose komunitetit LGBT, pse duhet të jetë ndryshe kur shënjestra janë hebrenjtë?” tha ambasadori izraelit, duke nënvizuar se kjo çështje nuk lidhet me një qëndrim politik ndaj Izraelit, por është thjesht një çështje e gjuhës së urrejtjes kundër hebrenjve.
Megjithatë, Torkato George, drejtor i përgjithshëm dhe bashkëthemelues i “Raya Culture”, kompania që organizon koncertin, ka refuzuar kërkesat për anullim. Ai ka theksuar se këto thirrje bazohen në “dezinformata”.

