Një alarm për vendosje eksplozivi u raportua paraditen e sotme në godinën e Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, pasi në adresën elektronike të institucionit mbërriti një email që njoftonte për praninë e një bombe në ndërtesë.
Forcat e policisë reaguan menjëherë duke mbërritur në godinë, ku kryen evakuimin e të gjithë personelit. Paralelisht, njësia antieksploziv kreu kontroll të plotë në ambientet e godinës. Pas verifikimeve të imtësishme, u konstatua se alarmi për bombë ishte i rremë.
Ndërtesa strehon gjithashtu dhe Prokurorinë e Gjirokastrës. Aktualisht, organet hetimore janë vënë në lëvizje për të zbardhur identitetin e personit ose personave që kanë dërguar emailin kërcënues.

