Një shpërthim i madh në rafinerinë “Motor Oil”, e vendosur në Agioi Theodoroi, Greqi, rezultoi fatal për një shtetas shqiptar dhe la një tjetër në gjendje të rëndë. Viktima është identifikuar si Robert Cakaj, 43 vjeç, ndërsa Dorian Hysa, 50 vjeç, po trajtohet në gjendje kritike.
Incidenti ndodhi pak pas orës 11:00, gjatë fazës së mirëmbajtjes parandaluese brenda rafinerisë. Nga shpërthimi u lënduan disa punëtorë, dy prej të cilëve u raportuan me plagë të rënda.
Punëtorët që u lënduan më rëndë u transportuan fillimisht në Spitalin e Korinthit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, ata u transferuan për trajtim të mëtejshëm në spitalin Thriasio. Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, Robert Cakaj, 43 vjeç, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Dorian Hysës, 50 vjeç, mbetet kritike; ai është i intubuar dhe ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në kokë.
Po ashtu, një i tretë u paraqit në spitalin e Korinthit me shqetësime të lehta të frymëmarrjes.

