Teatri “Migjeni” në Shkodër do t’i kushtojë një aktivitet artistik 115-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit Millosh Gjergj Nikolla, i njohur si Migjeni. Aktiviteti do të zhvillohet më 13 tetor, në orën 10:00, në hollin e teatrit, ku në qendër do të jetë vepra dhe trashëgimia letrare e një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare.
Në këtë përkujtim, publiku nuk do të jetë thjesht spektator. Qytetarët ftohen të marrin me vete një krijim të Migjenit dhe të kontribuojnë në këtë nismë, duke sjellë pranë njëri-tjetrit vargjet dhe prozën e autorit shkodran.
Përmes poezisë dhe prozës së tij, Migjeni pasqyroi varfërinë, padrejtësitë dhe vuajtjet njerëzore, duke ngritur një zë kritik për realitetin shoqëror të kohës. Mesazhet e veprës së tij vazhdojnë të lexohen edhe sot, duke e mbajtur të gjallë ndikimin e tij në kulturën shqiptare.
I lindur në Shkodër më 13 tetor 1911, Migjeni mbetet një figurë kyçe e letërsisë moderne shqipe. Përmes këtij aktiviteti, Teatri “Migjeni” synon të rikthejë vëmendjen te krijimtaria e tij dhe të nxisë lidhjen e brezave të rinj me letërsinë.

