Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën kombëtare të 24 tetorit, duke shprehur solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Përmes një thirrjeje publike, sindikata u ka bërë ftesë anëtarëve, artistëve, si dhe punonjësve të kulturës dhe medias që të bashkohen nesër në orën 11:00, përpara Kryeministrisë.
Sipas njoftimit, angazhimi në këtë protestë përfaqëson jo vetëm një akt përgjegjësie qytetare për të ardhmen e vendit, por është edhe një mbrojtje e të drejtave të punëmarrësve.
“Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë”, deklaron sindikata.
Ndër kërkesat kryesore të sindikatës janë sigurimi i pagave e pensioneve të denja, siguria në vendin e punës, mbrojtja sociale dhe mundësia për të shprehur mendimin lirshëm, pa frikë. Sindikata nënvizon se detyra e saj është të qëndrojë pranë komunitetit dhe të mbrojë dinjitetin e të gjithë punonjësve, duke ngritur zërin për të drejtat e tyre.
“Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara”, thuhet në deklaratë.
Thirrja për pjesëmarrje përmbyllet me mesazhin: “Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë!”.
Njoftimi:
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë u bën thirrje anëtarëve të saj, artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias t’i bashkohen protestës kombëtare, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë.
Misioni ynë sindikal na kërkon të jemi pranë njerëzve, të mbrojmë dinjitetin dhe të ngremë zërin për paga e pensione dinjitoze, siguri në punë, mbrojtje sociale dhe lirinë për të folur pa frikë.
Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara.
Nesër, ora 11:00, përpara Kryeministrisë!
Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë!

