Ka humbur jetën në një aksident tragjik mëngjesin e së mërkurës gazetari Xhesjon Zogu, 26 vjeç.
Aksidenti u shënua në aksin Vorë-Fushë Krujë, ku dy automjete u përplasën ‘kokë më kokë’.
Përplasja ndodhi pasi një automjet tip “Benz”, që po udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar.
Në momentin e manovrës, “Benz”-i është përplasur me një automjet tip “Land Rover”, i cili lëvizte në drejtim të kundërt, nga veriu drejt jugut.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 26-vjeçari humbi jetën në vend ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
DVP Tiranë/Informacione paraprake
-Rreth orës 09:40, në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë, pranë Urës së Gjolës, automjeti me drejtues shtetasin B. R është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Xh. Z.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi Xh. Z. ka ndërruar jetë në spital, ndërsa shtetasi B. R. ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
-Rreth orës 10:30, në rrugën “Shote Galica”, dyshohet se gjatë punës për instalimin e linjës së internetit, ka rënë nga lartësia e një shtylle shtetasi I. D., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie telekomunikacioni.
Shtetasi I. D. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupet hetimore po punojnë për sqarimin e rrethanave të rasteve.

