Protesta e mbajtur këtë të shtunë në Tiranë, ku mijëra qytetarë dhe studentë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka marrë sërish vëmendje nga mediat ndërkombëtare. France24 i ka kushtuar një artikull të veçantë ngjarjeve të fundit në kryeqytetin shqiptar, duke raportuar për manifestimin kundër qeverisë dhe përplasjet mes pjesëmarrësve dhe forcave të rendit.
Media franceze shkruan: “Protesta të reja antiqeveritare kanë shpërthyer në kryeqytetin shqiptar, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama”.
France 24, në shkrimin e saj, nënvizon se demonstratat, të cilat zhvillohen pa një organizator apo lider të përbashkët, nisën në maj, fillimisht në mënyrë paqësore. Këto protesta u nxitën nga pakënaqësitë lidhur me korrupsionin e perceptuar dhe kundërshtinë ndaj një projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore.
Sipas medias franceze, nga mesi i tetorit, protestat janë përhapur dhe janë kthyer në një seri tubimesh, disa prej të cilave kanë degjeneruar në akte dhune. Përveç revoltës kundër qeverisë, protestuesit janë të shqetësuar edhe për gjendjen e sistemit shëndetësor dhe mungesën e perspektivave për të rinjtë në vend.
Duke iu referuar demonstratës së fundit, France 24 raporton se grumbullimi filloi në mënyrë paqësore, nën reshjet e shiut, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Situata tensionohet, teksa dhjetëra të rinj hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj policisë, ndërsa disa kazanë mbeturinash u dogjën.
France 24 thekson se policia reagoi duke përdorur autobotë me ujë për të shpërndarë pjesëmarrësit.
Artikulli ndalet edhe te reagimi i qeverisë, duke theksuar se të mërkurën autoritetet shpallën masa më të forta ndëshkuese ndaj protestuesve të përfshirë në dhunë, përfshirë gjoba që shkojnë deri në 5,500 euro.

