Projekt madhor për Vllazninë/ Alban Xhaferi prezanton planin: Stadium i ri, fusha moderne dhe kompleks hotelier në 70 mijë m²

Publikuar me datë:

Alban Xhaferi, presidenti i KF Vllaznia, ka ndarë detaje të reja rreth projektit madhor “Vllaznia Elite Campus”, një nismë që synon të sjellë një perspektivë të re për zhvillimin e klubit dhe futbollit në qytetin e Shkodrës.

Gjatë një interviste të shpërndarë nga klubi, Xhaferi e ka vlerësuar këtë investim si një fazë historike për Vllazninë. Ai sqaroi se kompleksi planifikohet të ngrihet në një truall prej rreth 70 mijë metrash katrorë, pronë e klubit në zonën e Omarajt, në Malësinë e Madhe, vetëm 10 minuta larg nga Shkodra.

Projekti është aktualisht në proces projektimi dhe është parashikuar të zërë vend në dy faza të ndryshme. Faza e parë përfshin ngritjen e katër fushave futbolli – tri prej tyre me bar natyral dhe një tjetër me bar sintetik – të realizuara në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Faza e dytë pritet të jetë edhe më e madhe në përmasa. Kjo pjesë do të përfshijë ndërtimin e një stadiumi modern me kapacitet prej rreth 3 mijë ulësesh, fusha për minifutboll, një sallë sportive multifunksionale, si dhe një kompleks hotelerie me hapësira akomoduese, restorante, salla për konferenca, qendër fitnesi, SPA, pishinë dhe zona të dedikuara për rikuperimin e sportistëve.

“Ambicia jonë është që ‘Vllaznia Elite Campus’ të mos jetë thjesht një qendër stërvitore, por një destinacion sportiv ndërkombëtar, një nga komplekset e referencës në Ballkan”, shprehet Xhaferi.

Në fokus të këtij investimi është zhvillimi i akademisë së klubit, duke synuar ngritjen e një strukture moderne për zbulimin, formimin dhe përgatitjen e talenteve të reja. Sipas kreut të kuqebluve, kompleksi do të shërbejë për të gjitha njësitë e klubit: ekipin e parë, ekipin e vajzave, Vllaznia B dhe grupmoshat e akademisë.

Xhaferi theksoi gjithashtu se synohet që projekti të ketë dimension ndërkombëtar, duke bërë publik faktin se klubi po shqyrton bashkëpunime të mundshme me UEFA-n, FIFA-n, Fondacionin e EFC-së dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Sipas vizionit të drejtuesve të klubit, ky kompleks i ri mund të mirëpresë ekipe kombëtare, klube europiane, organizime për faza përgatitore, turne ndërkombëtare të akademive si dhe programe për zhvillimin e talenteve.

Kreu i Vllaznisë vlerësoi edhe bashkëpunimin institucional, duke shprehur mirënjohje ndaj presidentit të FSHF-së, Armando Duka, kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, dhe kryeministrit Edi Rama për mbështetjen e tyre ndaj futbollit në Shkodër.

Veç anës infrastrukturore, Xhaferi ka folur edhe për të ardhmen e klubit, duke deklaruar se Vllaznia mbetet e hapur për investitorë të rinj dhe partnerë që mund të ndihmojnë zhvillimin sportiv dhe ekonomik.

Nën drejtimin e tij, skuadra ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë dhe ka garantuar pjesëmarrje të vazhdueshme në arenën europiane. Megjithatë, Xhaferi thekson se synimi i radhës është që klubi të arrijë një nivel më të lartë profesional dhe të sigurojë një model financiar më të fortë.

“Vllaznia nuk është thjesht një klub futbolli. Është një institucion, një histori dhe një përgjegjësi e madhe ndaj Shkodrës dhe tifozërisë sonë”, përfundon presidenti kuqeblu.

“Vllaznia Elite Campus” po konsiderohet si një nga projektet më strategjike të klubit, duke synuar që trashëgimia e futbollit të Shkodrës të mbështetet në një infrastrukturë bashkëkohore dhe standarde europiane.

Burimi: KF Vllaznia – Zyra e Marrëdhënieve me Publikun dhe Marketingut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related