I riu 19-vjeçar nga Fieri, I.Sh, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas plagëve të rënda të shkaktuara në një aksident që ndodhi një ditë më parë në segmentin rrugor Mbrostar–Levan.
Ngjarja u regjistrua kur i riu udhëtonte me një makinë tip “Volkswagen”. Në një moment, drejtuesi i automjetit humbi kontrollin dhe makina doli nga rruga, duke përfunduar në kanalin anësor.
Pas aksidentit, I.Sh mbeti i plagosur rëndë. Fillimisht u dërgua në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një operacioni të menjëhershëm. Për shkak të seriozitetit të dëmtimeve, më pas u transferua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetojë.
Në të njëjtin aksident, dy persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtën makinë u plagosën gjithashtu.
Policia bashkë me ekspertët e kriminalistikës janë ende duke kryer hetime për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të përcaktuar faktorët që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit.

