Ervin Mata dështon sërish në Brazil, Gjykata Supreme rrëzon kërkesën kundër ekstradimit

Gjykata Supreme e Brazilit ka hedhur poshtë përpjekjet e fundit të avokatëve të Ervin Matës për të ndalur ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Gjykatësi Alexandre de Moraes refuzoi si argumentin në lidhje me kërkesën për azil, ashtu edhe pretendimin se procedura duhet të shtyhet për shkak të një hetimi penal që po zhvillohet në Brazil.

Vendimi, të cilin e ka siguruar gazetari i Euronews Albania Thimi Samarxhiu, është datuar më 11 nëntor 2026 dhe është publikuar më 12 nëntor.

Mbrojtja e Matës iu drejtua Gjykatës Supreme duke kërkuar pezullimin e ekstradimit me arsyetimin se ai kishte aplikuar për azil në Brazil. Megjithatë, sipas gjykatësit Alexandre de Moraes, “plotësimi i një formulari elektronik nuk përbën kërkesë zyrtare për marrjen e statusit të refugjatit”.

Vendimi sqaron se aplikimi i Matës nuk ishte formalizuar, pasi ai nuk ishte paraqitur personalisht te Policia Federale për të konfirmuar kërkesën. Për këtë arsye, autoritetet braziliane e kishin refuzuar shqyrtimin e saj, duke vënë në dukje mungesën e procedurës së nevojshme. Ky fakt bëri që gjykatësi të mos gjejë asnjë bazë ligjore për të pezulluar ekstradimin mbi këtë argument.

Avokatët kërkuan gjithashtu që dorëzimi i Matës të shtyhej deri në përfundim të një hetimi penal pranë Gjykatës Federale të Sao Jose dos Campos. Edhe këtë pretendim, gjykatësi Alexandre de Moraes e hodhi poshtë, duke theksuar se procedurat hetimore në Brazil nuk sjellin ndalimin e ekstradimit.

Më herët, Gjykata Supreme kishte shqyrtuar rastin Ervin Mata dhe në gusht 2026 kishte miratuar në mënyrë unanime kërkesën e Shqipërisë për ekstradim. Pas refuzimit të të gjitha ankimeve nga ana e mbrojtjes, vendimi u bë përfundimtar më 20 tetor.

Me këtë vendim të fundit, Alexandre de Moraes i ka dhënë fund edhe një përpjekjeje tjetër të mbrojtjes për të bllokuar procesin ligjor. Ai ka urdhëruar që Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike të njoftohet për vendimin.

Vijimi i procedurës dhe ekzekutimi i ekstradimit të Ervin Matës i kalon tashmë autoriteteve ekzekutive të Brazilit. Zbatimi i dorëzimit mbetet ende i varur nga aprovimi diskrecional i Presidentit të Brazilit dhe nga garancitë që duhet të paraqesë pala shqiptare.

Policia e Brazilit ka arrestuar Ervin Matën për llogari të autoriteteve shqiptare, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge si pjesë e një grupi kriminal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe