Agron Shehaj, kryetari i Partisë Mundësia, ka bërë publike një tjetër incident të rëndë në lidhje me rastin e të riut protestues, Enean. Sot, në oborrin e Parlamentit, përballë Shehajt dhe deputetit Erald Kapri, Enea tregoi hapur për dhunën që iu ushtrua brenda zyrave të Komisariatit Nr.1 në Tiranë.
Sipas Shehajt, 23-vjeçari përballet me presion të vazhdueshëm për të ndryshuar dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen.
Shehaj tha se iu desh të shkonte me urgjencë në spitalin ku i riu po merrte ndihmë mjekësore. Ai theksoi se, ndërkohë, oficerë policie dhe përfaqësues të Komisariatit Nr.1 kishin përzënë avokatin e mbrojtjes së Eneës, duke theksuar se i bëhej presion të mos i denonconte me emra personat përgjegjës për dhunën.
“Erdha me urgjencë në Spital sepse më njoftuan se ndaj Eneas, të riut që denoncoi dhunën e policisë krah meje në Kuvend, po ushtrohej presion në mënyrë që ai të ndryshonte dëshminë. E paimagjinueshme!
Ky është një skandal i vërtetë.
E rrahin, pastaj e marrin zvarrë nga shtrati ku priste të mjekohej dhe e sjellin këtu në një dhomë duke dhunuar avokatin, duke e larguar për ta detyruar që të ndryshojë dëshminë.
Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë”, shprehet Shehaj në videon e postuar në rrjetet sociale.
Gjatë deklaratës së bërë publikisht, Enea akuzoi drejtpërdrejt Roki Pepa dhe Ervin Hasrama si autorë të dhunës ndaj tij në zyrën e shefit të Komisariatit Nr.1. Shehaj ka kërkuar që ata të shkarkohen menjëherë nga detyra, dhe njëkohësisht theksoi kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon si urdhëruesin që, sipas tij, përdor policinë për të trembur të rinjtë protestues.
“Ata dy banditë që kanë dhunuar këtë djalin e ri, do të dalin përpara drejtësisë. Duhet të shkarkohen menjëherë.
Dhe kryeministri që ka vjedhur shqiptarët që po përdor tani policinë për të trembur, për të trembur protestuesit e dhunuar duhet të largohet. Do largohet me turp”, thekson Shehaj.
DEKLARATA E PLOTE E AGRON SHEHAJT
Jemi tek Urgjenca. Më thirrën me shpejtësi sepse Enea që ishte dhunuar dhe bëri publike një denoncim sepse ishte dhunuar dje në Komisariatin Nr.1 është marrë zvarrë nga shtrati ku ishte në pritje të mjekimeve, nga policia, ja ku i keni, ja policia ku është.
Ky është oficeri gjyqësor, kështu thotë të paktën që do të marrë dëshminë. Këtu është një përfaqësues i Komisariatit Nr.1 ku ai është dhunuar.
Këtu kemi një polic tjetër gjithmonë të Komisariatit Nr.1.
Erdha, u detyrova të vija me shpejtësi sepse kishin larguar me forcë edhe avokatin e djalit që e shoqëronte.
E morën e futën këtu në këtë dhomë dhe tani po bëjnë letrat dhe duan dëshminë e tij.
Po bëjnë presion ndaj tij për t’u tërhequr nga denoncimi që kishte bërë.
Ky është një skandal i vërtetë.
E rrahin, pastaj e marrin zvarrë nga shtrati ku priste të mjekohej dhe e sjellin këtu në një dhomë duke dhunuar avokatin, duke e larguar për ta detyruar që të ndryshojë dëshminë.
Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë.
Ata dy banditë që kanë dhunuar këtë djalin e ri, shikojeni si e kanë bërë, do të dalin përpara drejtësisë. Duhet të shkarkohen menjëherë.
Dhe kryeministri që ka vjedhur shqiptarët që po përdor tani policinë për të trembur, për të trembur protestuesit e dhunuar duhet të largohet. Do largohet me turp.
