Princi Harry sfidon Rusinë: Jam gati të rikthehem në ushtri nëse vendi ka nevojë për mua

Princi Harry ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë për t’u kthyer në shërbimin ushtarak nëse Britanisë do t’i duhet të përballet me Rusinë, duke theksuar se “të gjithë duhet të ndihemi nervozë” lidhur me Moskën. Gjatë një vizite të papritur në Lviv të Ukrainës perëndimore, Harry deklaroi se do të ishte plotësisht i angazhuar për të shërbyer vendit në radhët e ushtrisë.

“Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga Ukraina. Mendoj se e gjithë bota ka shumë për të mësuar nga Ukraina”, tha princi 42-vjeçar.

“Nëse më kërkohet të riregjistrohem, nëse është e nevojshme, atëherë do të jem 100% i gatshëm t’i shërbej vendit tim së bashku me veteranët e mi dhe personelin ushtarak”, shtoi ai.

Gjatë periudhës 2005-2015, Duka i Sussex ka shërbyer në forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, ku kreu dy misione në Afganistan si pilot i helikopterit Apache dhe arriti gradën e kapitenit.

Pas largimit nga ushtria, ai është angazhuar aktivisht në mbështetjen e ushtarakëve dhe veteranëve. Në vitin 2014, Harry themeloi Lojërat Invictus, një iniciativë që synon të ndihmojë ushtarakët dhe veteranët e plagosur, të lënduar dhe të sëmurë përmes sportit.

Komentet e Princit Harry u bënë për gazetën Telegraph gjatë udhëtimit të tij të fundit në Ukrainë, ku ai ndoqi seancat stërvitore të ekipit ukrainas për Lojërat Invictus.

Kjo shënon herën e katërt që Harry viziton Ukrainën prej se nisi pushtimi rus. Të dielën, ai u ndal në “Qendrën Mbinjerëzore” në Lviv, një institucion i specializuar për mjekësi, proteza dhe rehabilitim. Në këtë vizitë, Princi dha edhe një vlerësim kritik për mënyrën se si ish-presidenti amerikan Donald Trump i është qasur konfliktit në Ukrainë, duke theksuar se kjo nuk përfaqësonte qëndrimin e shumicës së amerikanëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe