Ernest Muçi ka luajtur një rol kyç në suksesin e Kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve, duke dhënë kontributin e tij me paraqitje dhe gola që mundësuan sigurimin e vendit të parë në grup dhe kalimin në Ligën B.
Megjithatë, sulmuesi nuk arriti ta përmbyllte ashtu siç dëshironte këtë fazë, pasi u dëmtua në sfidën ndaj Finlandës pas një faulli të rëndë nga pas gjatë pjesës së dytë, në një takim ku realizoi edhe një gol spektakolar. Për shkak të kësaj dëmtimi, Muçi nuk mundi të marrë pjesë në ndeshjen e radhës me Bjellorusinë, duke u kufizuar vetëm në udhëtimin bashkë me skuadrën për të qenë pjesë e ambientit ekipor.
Kjo ngjarje vuri në alarm klubin e tij, Trabzonspor, ku Muçi është kthyer në një element të rëndësishëm të formacionit. Në pritje të rikthimit në Turqi, lojtari iu nënshtrua ekzaminimeve të specializuara mjekësore, të cilat u realizuan sot.
Lajmet janë pozitive, pasi kontrolli mjekësor zbuloi se Muçi kishte pësuar vetëm një traumë të lehtë, pa pasoja serioze në zonën e dëmtuar gjatë ndeshjes. Si rezultat, ai u paraqit në stërvitjen e pasdites me Trabzonsporin dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidën e fundjavës ndaj Ejupspor në kampionatin turk.
Sidoqoftë, mediat turke theksojnë se trajneri mund të zgjedhë ta mbajë në rezervë sulmuesin, duke pasur parasysh ndeshjen e ardhshme të javës tjetër në Ligën e Konferencës – një objektiv i rëndësishëm për klubin që synon të shkojë sa më larg në këtë kompeticion.
