Partia Demokratike në Shkodër ka nisur diskutimet për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale të 9 majit, duke vënë në lëvizje strukturat për përzgjedhjen e kandidatëve.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi i PD-së në Shkodër, Ardit Çylybyli, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se procesi ka nisur në mbledhjen e Kryesisë së degës.
Sipas Çylybylit, në fokus të diskutimeve ishte propozimi i emrave për kandidatë, shqyrtimi i alternativave dhe përfshirja e strukturave dhe demokratëve të Shkodrës në këtë proces.
Ai thekson se përgatitjet do të vijojnë përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të strukturave të partisë, ndërsa e cilëson procesin si një hap të rëndësishëm drejt zgjedhjeve të ardhshme lokale.
